Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, u ka shprehur ngushëllime të gjithë familjarëve të viktimave të tërmetit që goditi sot Shqipërinë.
Përmes një shkrimi në Facebook, Haradinaj ka ngushëlluar edhe familjarët e dy viktimave kosovare, vëllezërit nga Livoçi i Gjilanit, Shemsedin dhe Isa Abazi.
“Me mendje dhe në lutje jam sot me familjet e të vdekurve dhe të humburve pas valës së tërmeteve në Republikën e Shqipërisë. Sapo u njoftova se në mesin e viktimave janë edhe dy vëllezër nga Livoçi i Gjilanit, Shemsedin dhe Isa Abazi. Ngushëllimet më të thella familjes Abazi dhe të gjitha familjeve shqiptare që humbën më të dashurit e tyre në këtë tragjedi”, ka shkruar Haradinaj.