Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka dhënë një fjalim para të pranishmëve në sallën “1 Tetori” me rastin e hapjes së fushatës së partisë së tij, me partnerët e koalicionit.
“E di që jeni në kamë një pjesë e madhe, jeni ngushtë. Na kanë mbetë edhe do jashtë, iu kërkojmë falje edhe atyne”, tha fillimisht Haradinaj.
Ai tutje shtoi se koalicionin që e udhëheq e karakterizon “e vërteta, duke mos i rënë rrotull”.
“Ne e thojmë të vërtetën edhe e thojmë shqip nuk i mëshojmë rrotull. Në të vjetrën, baca Halit e Gani, Halit Konushevci ka thënë: Mos me i dhanë lak, mos i ra rrotull, por me e thënë shqip. Në kohëra të veshtira të popullit tonë janë kriju njerëz të zotë…një pjesë e tyre janë të gjallë dhe jemi ne”, deklaroi Haradinaj.
Tutje kryeministrin Albin Kurti e konsideroi njerëz të lig, teksa njerëzit e tij “të zotë”.
“Kur vjen koha e mirë, krijohet, dalin edhe njerëz të ligj. Albin Kurti është njeri i lig, klika e tij janë njerëz të ligj. E kur vijnë njerëz të ligj si ai, e vijnë në kohën e keq prapë, sot nevojiten njerëz të zotë dhe ja ku i keni njerëzit e zotë. Këta janë të dëshmun, kanë dhanë prova, janë faktet e gjalla. Ja ku janë njerëzit e zotë”.
“Kur bëhen bashkë njerëzit e zotë që i keni përpara dhe një plan i mirë, atëherë suksesi është i garantum”, shtoi Haradinaj.
Tutje dha arsyet pse sipas tij duhet të largohet Qeveria aktuale.
“Për me fitu Kosova, duhet me e hjek mashtruesin. E pse dojmë me hjek? Duhet me e hjek se duam siguri, siguri të plotë e të përjetshme, dojmë anëtarësim në NATO, dojmë miqësi me Amerikën e për ata dojmë me e hjek mashtruesin. Dojmë me e rrit mbrojtjen e me siguru përjetësisht Kosovën”, deklaroi Haradinaj para të pranishmëve.