Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk ka marrë pjesë në Komision ku ka pasur për të raportuar në lidhje me shpenzimet prej 500 mijë euro për festën e 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Komisionit, Driton Selmanaj, ka thënë se është e palogjikshme të ndahet një shumë kaq e madhe për përvjetorin e Pavarësisë ku sipas tij aktivitetet që janë mbajtur atë ditë nuk kanë pasur një kosto kaq të lartë.
“Mënyra pse kemi vendosur më fol për ketë është mënyra se si po ndahen nga Qeveria Haradinaj mjete për disa aktivitete. Vetëm vitin e kaluara janë ndarë mbi 8 milionë e 300 mijë euro për këto raste. E fundit është 500 mijë euro për aktivitetet e 11 vjetorit të Pavarësisë”, tha Selmanaj.
Ai ka thënë se nuk e arsyeton mungesën e kryeministrit në komision.
“Për fat të keq këto raporte nuk po mundemi me i shqyrtu sepse nuk janë personat kompetent këtu. Vitin e kaluar janë ndarë 600 mijë euro për festen e Pavarësisë e në kohen e Mustafës janë ndarë vetëm 70 mijë euro. Ne nuk mundemi me i diskutu këto pasi që nuk është kryeministri këtu e as 5 zëvendësit e tij. Neve na duhet Kryeministri me na i tregu arsyet për këto shpenzime që nuk kanë logjikë. Ne si Komisioni kemi kërkuar të vijë Kryeministri, por ai nuk ka ardhur. Kur i analizojmë aktivitetet nuk është që kanë pasur ndonjë shpenzim të madh të aktiviteteve dhe 500 mijë euro nuk e dimë se nga kanë shkuar”, tha Selmanaj.
Avdullah Hoti nga LDK-ja, tha se është shqetësuese se si po shpenzohet buxheti i Kosovës për raste të tilla.
“Nuk ka asnjë arsye për ndarje të gjithë kësaj shume për festen e Pavarësisë. Ne materialet që na u janë dërguar kemi ofertën e kompanisë që është marr më aktivitetet e Pavarësisë dhe duhet më dimë se si është përzgjedhur kjo kompani. Për mbledhjen e ardhshme duhet të obligohet Kryeministri ose ndonjë zëvendës që të vije dhe të na tregoj për gjithë këtë shumë të ndarë për një festë të Pavarësisë. Sugjeroj qe mos të diskutojmë sot më shumë deri sa të na vje Kryeministri në Komision”, tha Hoti, raporton EO.
Edhe deputeti Mergim Lushtaku nga PDK-ja tha se kjo shumë është e pakuptimtë dhe sipas tij më mirë do të kishte qenë që kjo shumë të ndahet për familjet skamnore.
“E kam marr me shqetësim gjithë këtë buxhet të ndarë për festën e Pavarësisë së Kosovës. Më mirë ka qenë jo veç në aktivitet me e shpenzu këtë shpenzime, por më investu tek familjet që se kanë një mirëqenie të mirë. Ishte dashur që të diskutojmë për të gjitha shpenzimet që i bëjmë për festa të ndryshme pasi që festa duhet me qenë edhe familjet e varfra e jo vetëm në aktivitete”, tha Lushtaku.
Ndërkaq, Komisioni bëri edhe tërheqjen e shortit për auditimin e raporteve financiare dhe atyre të deklarimit financiar të Subjekteve Politike për vitin 2017.
Kryesuesi sqaroi se shorti do të përsëritet nëse bie auditori i njëjtë me vitin e kaluar pasi bie ndesh me ligji.