Haradinaj paralajmëron reciprocitet ndaj Serbisë armiqësore

Prishtinë | 30 Maj 2017 | 19:35 | Nga

“Marrëveshja e shënimit të kufirit me Malin e Zi është gabim, humbim territor. Do ta rikrijojmë komisionin e ri, do ta nxjerrim versionin e drejtë dhe do ta negociojmë me Malin e Zi, sepse kemi edhe fqinj edhe mik”.

Ish-kryeministri i Republikës së Kosovës dhe kreu i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se, “Nëse Serbia do të sillet armiqësisht ndaj Kosovës, ne do të jemi çdo herë në reciprocitet”.

Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), Haradinaj, foli për proceset e rëndësishme në Kosovë, për marrëdhëniet e këtij vendi me shtetet e rajonit, marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, marrëveshjen e demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, Formimin e Gjykatës Speciale, marrëdhëniet Kosovë-Turqi, etj

Haradinaj, si kandidat për kryeministër i koalicionit parazgjedhor nga Partia Demokratike e Kosovës – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën (PDK – AAK – NISMA), tha se parimi në formimin e këtij koalicioni nuk është dhënia e përkrahjes së vazhdimit të logjikave të qeverisjes së kaluar. Sipas tij, ky është një fillim i ri me një mënyrë të re të qeverisjes, ku tani kryeministri do të dalë nga partia e cila deri më tani ka qenë në opozitë.

“Nëse Serbia do të sillet armiqësisht, do të jemi çdo herë në reciprocitet”

Haradinaj tha se është pro dialogut me të gjithë fqinjët, por që Serbia po sillet armiqësisht ndaj Kosovës. Duke theksuar se “nëse ata do të sillen armiqësisht ne do të jemi çdo herë në reciprocitet”, ai tha se në këtë proces do ta përfaqësojnë interesin e Kosovës dhe vendimet e Parlamentit e të Kushtetutës të Kosovës, i cili është një vend sovran, i pavarur dhe i njohur nga shumë shtete.

“Nuk mendojmë të vazhdojmë dialog sa për dialog, nëse dialogu është në respektim të plotë të asaj se kush jemi, po, jemi për dialog. Nëse ka pozita ose situate të tjera nuk i përfillim. Do t’i njohim vetëm ata që na njohim, do t’i respektojmë vetëm ata që na respektojnë”, tha Haradinaj.

Marrëveshja e Asociacionit nuk vlen më, Demarkacioni do të ketë version të ri

Sipas Haradinajt marrëveshja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ka qenë një gabim i qeverisë së Isa Mustafës, meqë sipas tij nuk është konsultuar me parlamentin. Ai thotë se parlamenti dhe populli i Kosovës kanë reaguar ndaj kësaj marrëveshjeje dhe se “ajo nuk vlen më” meqë sipas tij Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë këtë marrëveshje.

Ndërkaq, lidhur me marrëveshjen e demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, Haradinaj tha se, “Kjo marrëveshje e shënimit të kufirit është gabim, humbim territor. Do ta rikrijojmë komisionin e ri, do ta nxjerrim versionin e drejtë dhe do ta negociojmë me Malin e Zi, sepse e kemi edhe fqinj edhe mik. Pra nuk mendojmë që është faji në anën e Malit të Zi, është gabim i yni dhe do ta korrigjojmë këtë gabim. Menjëherë do t’i informojmë qeveritë e BE-së, sepse ata padrejtësisht e kanë vendosur demarkacionin kusht për liberalizimin e vizave, që të mundësohet qarkullimi i lirë i qytetarëve të Kosovës”.

Sa i përket temës së transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, Haradinaj tha se edhe të zgjedhurit e ardhshëm të serbëve të Kosovës do t’i përkrahin ndryshimet kushtetuese për këtë proces dhe se do ta kuptojnë që kundërshtimi i këtij transformimi “është lojë e Beogradit zyrtar për axhendat e tyre, e jo për interesin e serbëve të Kosovës”.

“Zbatimi i fletarrestit nga Serbia është turp për Francën”

Duke folur për mbajtjen e tij për rreth katër muaj në Francë me urdhërarrest të Serbisë, Haradinaj nënvizoi se nuk do t’i detyrohet Serbisë në asnjë aspekt dhe shprehu se ndihet i kënaqur me rolin tij në kohën e luftës për lirinë e Kosovës.

Ai po ashtu rikujtoi se Serbia kishte dënuar me burg edhe ish-presidentin e Francës Jacques Chirac, për krime lufte në luftën e fundit në Kosovë, duke thënë se, “Është turp për këto vende, pra për cilin do vend, si për Francën në këtë rast, zbatimi i një fletarresti që buron nga 2004, i një drejtësie që ka dënuar presidentin e tyre Chirac. Ata nuk e kanë futur në burg presidentin e tyre Chirac, ndërsa i dhanë të drejtë vetes së tyre ta burgosin ish-kryeministrin e një vendi të zgjedhur nga popull, e që është absurd i madh”.

“Zbatimi i fletarrestit nga Serbia është turp për Francën”

Duke folur për mbajtjen e tij për rreth katër muaj në Francë me urdhërarrest të Serbisë, Haradinaj nënvizoi se nuk do t’i detyrohet Serbisë në asnjë aspekt dhe shprehu se ndihet i kënaqur me rolin tij në kohën e luftës për lirinë e Kosovës.

Ai po ashtu rikujtoi se Serbia kishte dënuar me burg edhe ish-presidentin e Francës Jacques Chirac, për krime lufte në luftën e fundit në Kosovë, duke thënë se, “Është turp për këto vende, pra për cilin do vend, si për Francën në këtë rast, zbatimi i një fletarresti që buron nga 2004, i një drejtësie që ka dënuar presidentin e tyre Chirac. Ata nuk e kanë futur në burg presidentin e tyre Chirac, ndërsa i dhanë të drejtë vetes së tyre ta burgosin ish-kryeministrin e një vendi të zgjedhur nga popull, e që është absurd i madh”.

“Formimi i Gjykatës Speciale është në baza etnike”

Haradinaj, duke folur rreth formimit të Gjykatës Speciale, si një prej komandantëve të UÇK-së shprehu besimin për pafajësinë e kësaj ushtrie. Ai thotë se nuk ka dijeni se kush mund të jetë apo kush është i akuzuar nga kjo Gjykatë. Por ai shtoi se as kjo ndërhyrje politike nga jashtë nuk do ta ndalë Kosovën drejt rrugës së vet.

“Unë e kam kundërshtuar formimin e saj sepse është në baza etnike, vetëm Kosovës nuk i është mundësuar ta gjykojë vet ato që kanë ndodhur në luftë. Janë me dhjetëra shqiptarë, të Kosovës të masakruar, fëmijë, gra e pleq që nuk i ka gjykuar askush. Pra është një gabim kjo, megjithatë Kosova ka marrë obligimet për këtë Gjykatë”, thotë Haradinaj.

“Neve na intereson pozicioni i shqiptarëve të Maqedonisë”

Sa i përket gjendjes politike në Maqedoni, Haradinaj tha se nuk do ndërhyjnë në vendimet sovrane të popullit të Maqedonisë në krijimin e qeverive, kushdo që është në detyrë. “Nuk ndërhyjmë në vendimet e atjeshme Ajo që neve na intereson është pozicioni i shqiptarëve të Maqedonisë. Janë popull autokton, janë në tokën e vet, në të drejtën e vet edhe ne jemi të interesuar për të drejtën e shqiptarëve atje”, thotë Haradinaj.

Ai shprehu interesimin për thellimin e marrëdhënieve me Maqedoninë, por shtoi se do të ketë reciprocitet edhe në marrëdhëniet me këtë vend “Nëse sillen miqësisht sillemi miqësisht. Nëse sillen armiqësisht si rasti i Serbisë, na kanë armik”, tha ai.

Liberalizimi i vizave, proces jo i largët

Haradinaj deklaroi se liberalizimi i vizave është një proces jo i largët, që nuk do të marrë kohë të gjatë. Sipas tij kjo do t’ia lehtësojë edhe në zgjidhjen e problemit të vizave me Bosnje dhe Hercegovinën e cila po ashtu është kandidate e BE-së. Ai shtoi se edhe pse nuk ka pajtueshmëri politike për njohjen e Kosovës, nuk duhet lejuar bllokimi i qytetarëve.

“Ne jemi të gatshëm që të avancojmë , nuk kishim dashur në asnjë mënyrë ta pengojmë qarkullimin e lirë. Ne e kemi një traditë të marrëdhënieve të mira me Sanxhakun, për shembull jemi në lidhje gjaku, lidhje farefisnore, por edhe me Sarajevën ka pasur një traditë dhe një shkëmbim të madh dhe ajo është në interes pikërisht në atë frymën që po deklarohet nga BE-ja, në qarkullimin e mallrave, njerëzve dhe ideve. E konsiderojmë në interes zgjidhjen e kësaj teme.”, tha Haradinaj.

“Marrëdhëniet e mira me Turqinë janë interes i yni”

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, po ashtu foli për marrëdhëniet Kosovë-Turqi, ku vlerësoi se këto dy shtete çdo herë kanë pasur një traditë të mirë të marrëdhënieve.

“Ekziston një komunitet i madh i yni i shpërngulur prej Kosovës. Kemi marrëdhënie shumë të mira me turqit e Kosovës, janë aleatë të proceseve të interesit nacional të Kosovës. Turqia ka bërë shumë punë në njohjen edhe do ta ruajmë këtë traditë të marrëdhënieve të mira me Turqinë. Është interes i yni”, deklaroi Haradinaj.

Së fundi Haradinaj tha se në periudhën e paszgjedhjeve këtë vend e pret një Kosovë më e gjallë, me integritet territorial, sovranitet të plotë, kufij të sigurt, me ushtri të saj e me gjallëri ekonomike. “Pra një Kosovë më ndryshe, me një fillim të ri”, u shpreh ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme