Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj pas takimit me kryeministrin, Albin Kurti tha se me kreun e Qeverisë kanë biseduar për tema të rëndësishme për vendin, raporton Ekonomia Online.
“Tema ishte dialogu me datën 6 maj i kanë dërgua letër kryeministrit dhe kam kërkuar takim për çështjen e dialogut dhe pas kërkesës u kemi përgjigjur takimit. I kemi dëgjuar qëndrimet e kryeministrit dhe kam shprehur shqetësimet e mia. Prezencën e ShBA-së është mëse e nevojshme, do të ishte me dobi emërimi i emisarit nga Amerika. Lajçak është një nivel i ulët i përfaqësimit për agjendën tonë. E ardhmja e dialogut është e rëndësishme”.
Tutje ai ka komentuar edhe deklaratën e Kurtit ku tha se Ballkanit duhet të çlirohet nga kriminelët.
“Kosova nuk mundet me u barazua me Serbinë termi nuk është i drejtë. Termi i drejtë është që Serbia s’është demilitarizu, ka nevojë Serbia me u çliru prej kriminelëve të luftës”.
Ndërsa, Kurti për mes një komunikate për medie tregoi për ecurinë e takimit.
Komunikata:
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, priti në takim kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe nënkryetarin e parë, Ardian Gjini.
Kryeministri Kurti e njoftoi Haradinaj për takimet që pati me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel dhe për përgatitjet për procesin e dialogut të ardhshëm me Serbinë.
Z. Haradinaj kërkoi përfshirje më të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog krahas Bashkimit Evropian. Ai theksoi gatishmërinë e tij dhe të AAK-së për bashkëpunim me Qeverinë për tema të interesit nacional.
Takimit të sotëm me z. Hardinaj i ka paraprirë ftesa që kryeministri Kurti ua ka dërguar tre liderëve të partive opozitare, me qëllim të informimit dhe bashkërendimit të spektrit politik për çështje me interes të Republikës së Kosovës.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar vazhdimisht se për çështjet me interes nacional do të konsultohet dhe do të kërkojë bashkëpunim të mirëfilltë me partitë dhe liderët opozitarë.
Ndërsa një ditë pas Kurti do ta takojë kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Për dallim nga Abdixhiku dhe Haradinaj, kreu i PDK-së, Enver Hoxhaj ka refuzuar takimin e Kurtit.
Kurti u kishte dërguar letër liderëve të partive parlamentare për t’u takuar dhe koordinuar për çështjet me interes kombëtar.