Kryetari në dorëheqje i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se mospjesëmarrja e Lëvizjes Vetëvendosje në takimin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qenë një shije e keqe, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se në takim është diskutuar edhe për datat e mundshme të zgjedhjeve të reja.
“Një shije e keqe ishte mospjesëmarrja e Vetëvendosjes me partnerët e saj të qeverisë. Kuptohet edhe Lista Serbe mungoi në takim. Është fyerje për vendin që Vetëvendosje nuk ishte. Kurtit iu kanë përgjigjur në takime të gjithë kryetarët e partive opozitare, mosardhja e tij nuk është në rregull.
Adresimi në Gjykatë Kushtetuese është tallje, hajgare. Afatin 30-ditor e kanë ditur me kohë, kanë bërë hajgare. Kanë thirrë seancë dje, është vërtet gabim prej anës tyre. Askush nuk ia ka fajin VV-së për sjelljen e tyre dhe ato që ia kanë sjellë vendit. Është dashur të vinë.
Janë opsion prej 5, 12 dhe 19 prill. Mund të ketë edhe ndonjë datë tjetër. Nuk kemi datë të preferuar, e kuptojmë se jemi në auto-pilot, nuk ka askush kompetenca, përveç Kushtetutës”, tha ai pas takimit me Osmanin, ku u mblodhën për të diskutuar për datën e zgjedhjeve të reja.
Haradinaj tha se 5, 12 dhe 19 prilli janë në opsion, por mund të ketë edhe ndonjë datë tjetër.
“Në opsion janë datat 5, 12 dhe 19 prill, mund të ketë edhe ndonjë datë tjetër, varësisht prej zhvillimeve. Ne nuk kemi një datë të preferuar, sepse tash jemi në auto-pilot. Ne e respektojmë cilëndo datë”, tha Haradinaj.
