Kryeministri Ramush Haradinaj ka folur për incidentin e djeshëm në manifestimin e 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, kur vetë ai doli dhe e tërhoqi për krahu një zonjë që mori fjalën pa leje.
Haradinaj duke e arsyetuar veprimin e tij, tha se ishte i interesuar që e gjithë ajo situatë të kalojë me sa më pak problem.
Ai më tutje ka kritikuar protokollin i cili është marrë me organizimin e kësaj ngjarjeje si dhe policinë.
“Ngjarja e djeshme është protokoll shtetëror. Në atë ngjarje e thërrasim veten edhe shtetet tjera. Është e papranueshme një i paftuar të flasë. Aty kenë dy zgjidhje: Ja policia, ja une. Zot shpie kam qenë”, ka thënë Haradinaj.
“Sa të jem në detyrë kurrkush s’më hyn nëpër këmbë në ngjarje shtetërore. A ke burrë, a ke zojë, a ke fëmijë”.
“Na e kemi arrestuar Gjuriqin atje me tregu që jemi shtet, na e kem ndalë Frashër Osekun para gruas e fëmijë, e na po e lajmë një grua qaty me na torturuar një popull qaty edhe me thënë i hijshëm i pahijshëm. Pahijshëm kom me e bo”, tha kryeministri.
Ai madje ka lavdëruar veprimin e kryeparlamentarit Veseli, i cili zonjës e cila e prezantoi veten si familjare e Mehmet Derallës, ia ndezi mikrofonin.
“Janë do virusa këtu. Ne e dimë kush e shtinë. Jo nuk është e Kadrisë. Gjesti i Kadrisë ka qenë korrekt, ka shpresuar që i thotë dy fjalë edhe largohet. Ajo nuk dike m’u ndalë”.