Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është pyetur në lidhje me deklaratën e presidentit Hashim Thaçi se do të ketë korrigjim të lehtë të kufirit, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se një gjë e tillë nuk do të ndodh.
“Nuk do ndodhë ashtu, Kosova është e gatshme për një marrëveshje obligative, gjithëpërfshirëse, që i rregullon të gjitha, por jo një marrëveshje që ka për objekt territorin e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
Ai këto komente i bëri gjatë vizitës në fabrikën “ Vipa Chips”.
Para gazetarëve ai iu drejtua drejtorit të kësaj fabrike.
“Me i thënë Bedrisë me ia korrigju ndonjë arë nuk pranon. Pra nuk do të ketë korrigjim kufijsh”, u shpreh Haradinaj.
Kryeministri foli edhe për dialogun me Serbinë, raporton EO.
Ai tha se janë për dialog, por jo për dialog me kushte.
“Mirë kish qenë nesër me fillu dialogu. Ne kemi shku në dialog, nuk kemi vendos kushte. Ata s’po duan dialog sepse kush donë dialog nuk qet kushte”, tha Haradinaj.