Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë sot se do të këmbëngulë që ta marrë pozitën e Presidentit të Kosovës, sapo t’i skadojë mandati Hashim Thaçit.
Sipas analistit politik, Ernest Luma, kandidimi i Haradinajt për këtë pozitë është krejtësisht legjitim.
“AAK si parti politike, konsideroj që edhe në të kaluarën i ka paraprirë disa subjekteve politike në këtë aspekt. Në kontinuitet, kanë qenë disa muaj para të tjerave, me nominimin qoftë për postin e kryeministrit edhe atë të presidentit të vendit ose për çështje të tjera”.
“Është një parti më e kujdesshme në këtë aspekt; nuk ka paqartësi dhe konfuzione. Haradinaj për herë të parë, e ka thënë publikisht 20 vjet më herët, që përgjegjësia e tij më e lartë dhe kontributi i tij në nivelin më të lartë në vend, do të ishte ai për postin e presidentit të Kosovës. Këtë e ka thënë në një libër dhe në një intervistë të postuar nga Zëri në vitin 2000”.
Luma në Info Magazine në Klan Kosova, vlerëson se Haradinaj duhet të bëhet president pasi sipas tij, është figurë unifikuese.
“Nominimi i Haradinajt, nga Këshilli Drejtues i AAK-së për president, është etik dhe legjitim. Mënyra sesi ai po qaset në raport me partnerët politik në vend është e rregullt dhe demokratike. Haradinaj, është poashtu një prej atyre që e plotëson kushtin themelor, është ai që në masën më të madhe në raport me liderët e tjere, e përfaqëson atë që mund të quhet unitet politik”, është shprehur Luma.