Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria Kurti është më e korruptuara që e ka pasur ndonjëherë Kosova, raporton Ekonomia Online.
Sipas Haradinajt, kontratat e shumta njëburimore e konfirmojnë këtë.
“Qeveria Kurti është qeveria më e korruptuara që e ka pasur Kosova. Këtë e thotë matematika; nuk ka pasur ndonjëherë më shumë se gjatë kësaj qeverie kontrata njëburimore”, ka thënë Haradinaj.
Ai i ka bërë komentet për gazetarët, pas eventit të organizuar nga qeveria studentore e Institutit të Teknologjisë Rochester (A.U.K.), me rastin e 25-vjetorit të bombardimeve të NATO-s.
“Kurti veçse është në fund të mandatit të vet, e ka kryer mandatin, tani e tutje është çështje e dakordimeve se si do të rrjedhë procesi. Do të mbahet mend si një qeveri, e cila jo vetëm që s’i ka sjellë suksese Kosovës, por ka bërë kthim mbrapa në çështje shumë serioze, përfshirë në siguri, aleatët tanë, çështjet ekonomike”.
I pyetur në lidhje me vendimin e ministrit të Bujqësisë, Faton Peci për lirimin e objektit ku gjendet partia e tij, Haradinaj tha se do të veprojnë sipas ligjit.
“Zbatohet ligji. Pala që ka qenë qiradhënëse, e ka ndërprerë kontratën; ne si qiramarrës po ashtu do ta zbatojmë ligjin”.
Haradinaj ka folur edhe për vendimin e Qeverisë për t’ia dhënë 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit. Ai tha se deçanasit janë të befasuar me këtë vendim.
“Isha në Deçan me kryetarin (Bashkim Ramosaj), ata ishin të befasuar që Qeveria e ka zbatuar. Nuk kishin bërë ndonjë përgatitje paraprake. Por, ne jetojmë në Kosovë, nuk kemi shtet tjetër, duhet të respektim të ligjeve të Kosovës, besojmë se kjo është kryesore”, u shpreh Haradinaj.
Limaj: Nuk ka kryeministër që ka bërë lëshime e kompromise më të mëdha e të dëmshme për vendin sesa Kurti
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, konsideron se kryeministri Kurti ka krijuar një opinion të rrejshëm kinse është këmbëngulës në qëndrimet e tij.
Por sipas tij, vendimet e Kurtit po e dëmtojnë Kosovën, dhe në fund ai po bën lëshime e kompromise.
“Fatkeqësisht këtu është krijuar një opinion i rrejshëm se z. Kurti gjoja është këmbëngulës në qëndrimet e tij. Në fakt nuk ka kryeministër që ka bërë lëshime e kompromise më të mëdha e të dëmshme për vendin”.
“Veçse dallimi është se vendi ka marrë goditje, dhe në të gjitha këto qëndrime të proklamuara ka hequr dorë”, shtoi Limaj.
“Ai veç merr goditje kthehet mbrapa dhe Kosova është ndalë. Kosova tash e tri vite është ndalë, asgjë s’ka ecur as në planet e zhvillimit ekonomik, as nuk e prishur dhe ka humbur mundësinë e promovimit të saj në arenën ndërkombëtare dhe rrumbëllakësimin e shtetësisë sonë, dhe këto janë rezultate, fatkeqësisht”, tha Limaj.