Haradinaj: Përçarja e brendshme politike rreth taksës po na shkatërron

Prishtinë | 28 Shk 2019 | 15:22 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka thënë se për t’iu shmangur një marrëveshjeje të dhimbshme për Kosovën është mirë që të rezistohet tani.

Haradinaj tha se përçarja e brendshme politike rreth taksës po i shkatërron.

Ai tha se sikur të gjithë krerët politikë të kishin qenë me qëndrimin e njëjtë atëherë Kosova do të ishte në një gjendje më ndryshe, raporton Ekonomia Online.

“Jam dakord me u pezullu sikur të kishim një kontratë për pezullimin e taksës. Nëse pezullimi është për me u kthy. Kemi dëgjuar që ekziston një ide për një marrëveshje me Serbinë, por flitet për kompromise të dhimbshme. Sa i përket çështjes së taksës prej 100 për qind, tani përçarja e brendshme politike po na shkatërron. Sikur ne të kishim qenë së bashku, jam thellë i bindur se do ta kishim pasur më lehtë me Serbinë. Por unë jam i bindur se më mirë është te heqim keq tani, se sa pastaj të ndodhemi përballë një marrëveshje e cila është e pranueshme për komunitetin ndërkombëtarë, por e dhimbshme për Kosovën”, ka thënë Haradinaj.

Ai tha se se është në interes të Kosovës nëse pezullohet taksa, por në kuadër të një kontrate ku aty i dimë të gjitha temat përfshirë edhe tregtinë e lirë.

“Ne e kemi të vështirë marrjen e një veprimi që do lidhej me pezullimin e taksës pasi i kemi disa paqartësi, ne nuk po e dimë se çka është fjala, e kemi pa që procesi i dialogut na ka dëmtu në vazhdimësi. Është zor që Kosova të marrë një veprim, ne nuk po e dimë se ku po qesim këmbën tash e tutje. Ne kemi interes me e pezullu taksën në kuadër të një kontrate ku aty i dimë të gjitha temat përfshirë edhe tregtinë e lirë. Në gjendjen që është sot është e pamundur me marrë një veprim për pezullimin e taksës”, tha ai, raporton EO.

Ai këto komente i ka bërë pas takimit me përfaqësuesit e bizneseve nga Mitrovica.

Të ngjashme