Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, vizitoi sot pikën kufitare në Glloboqicë, pika kufitare me Maqedoninë e Veriut, për të parë nga afër ushtrimin e përbashkët të Njësive të Specializuara të forcave të Policisë të Republikës së Kosovës dhe policisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ushtrim ky i koduar me emrin “Potera-Ndjekja”.
Pas përfundimit të ushtrimit të përbashkët operativo-taktik të forcave policore të të dy vendeve, kryeministri në detyrë Haradinaj, para të pranishmëve të shumtë, tha se sot dy porosi vlejnë për të gjithë ne. “E para, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë besim në njëra-tjetrën, popujt tanë, shtetet tona, politika jonë, institucionet, ekonomia, rendi dhe ligji. Mbi bazën e këtij besimi rendin dhe ligjin do ta bëjmë dhe do ta ruajmë bashkë, në mënyrë që krimin, kriminelët, rreziqet t’i përballim bashkë”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.
Kryeministri në detyrë Haradinaj, tha se i gëzohen sukseseve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, suksesit drejt NATO-s, duke potencuar se edhe Kosova i ka aspiratat e saja.
Porosia e dytë ka të bëjë me sigurinë, në rast të vendimit të liberalizimit të vizave për Kosovën, e që siç theksoi kryeministri në detyrë Haradinaj, kjo do të thotë se kufijtë janë të sigurt dhe nuk ka mundësi që kriminelët të lëvizin lirshëm në mes vendeve tona.
“Por, qytetarët PO, duhet ta kenë të drejtën e lirë, të lëvizin e ta gëzojnë lirinë. Qytetarët e Kosovës edhe në këtë fundvit, edhe për krishtlindje nuk janë të lirë, nuk mund të udhëtojnë lirshëm në Evropë apo në familjen evropiane”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.
Po ashtu, kryeministri në detyrë Haradinaj falënderoi forcat policore të të dy vendeve për profesionalizmin e dëshmuar sot, duke thënë se ata e bëjnë jetën e sigurt për pronën dhe qytetarët e dyja vendeve.
Nga një fjalë në këtë ceremoni mbajtën edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Ekrem Mustafa, zëvendëskryeministri/ ministër i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe Drejtori i Policisë së Maqedonisë së Veriut, Sasho Tashevski.
Me këtë rast, është nënshkruar Protokolli i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për çështjet që ndërlidhen me sigurinë dhe ngjarjet e mëdha publike, Protokoll bashkëpunimi ndërmjet dy ministrisë për trafikun hekurudhor.
Në fund të ceremonisë u ndanë mirënjohje dhe letër falënderime për njësitë pjesëmarrëse në këtë operacion.