Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me zhdukjen e dy policëve të Kosovës në lumin Lepenc.
Ai ka theksuar se ngjarjet si kjo na kujtojnë se policia e Kosovës me sakrificë kujdeset që qytetarët e Kosovës të jetojnë në ambient të sigurtë.
Kujtojmë se mbrëmjen e vonë të së shtunës, një veturë e Policisë së Kosovës në rrethana ende të panjohura ka rënë në lumin Lepenc.
Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës FSK), bashkë me zjarrfikës e njësitin e zhytësve, janë angazhuar në kërkim të dy trupave të policëve të zhdukur pas aksidentit të ndodhur në lumin Lepenc.
Postimi i plotë i kryeministrit Haradinaj:
“Është shumë pikëllues lajmi për zhdukjen e dy policëve të Kosovës në lumin Lepenc. Ndajë shqetësimin me familjarë dhe miq në këtë fazë shumë të vështirë të shpresës dhe frikës për fatin e policëve tonë.
Ngjarjet si kjo na bëjnë të mos harrojmë kurrë se policia e Kosovës është ajo që me shumë mund dhe shpesh dhe sakrificë kujdeset që ne të jetojmë në ambient të sigurtë.
Falënderoj të gjitha njësitë relevante, Policinë e Kosovës, FSK-në, zjarrëfikësit dhe të gjithë të përfshirët në kërkim të dy policëve tanë. RH”