Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka premtuar se çdo grua do të jetë trashëguese dhe bartëse e barabartë e pronës së paluajtshme, raporton Ekonomia Online.
Ai thekson se gruaja në shoqërinë e në shtetin tonë, duhet të ketë një trajtim shumë më të avancuar.
“Ajo më në fund duhet të jetë krejtësisht e barabartë. Vetëm me përdorimin e slloganeve se gruaja është e barabartë dhe do t’i zbatojmë kuotat gjinore, nuk i përmbushim obligimet tona.
Para se me masa administrative e me vendosjen e kritereve gjinore, duhet të punojmë në vetëdijësimin e secilit prej nesh, ku njëherë e përgjithmonë do të hiqet dorë nga të ashtuquajturat norma kanunore mbi të drejtat e grave”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka thënë se është e pamundur të flitet për barazi gjinore e në praktikë të zbatohen të drejtat kanunore.
“Ndryshimi i parë i menjëhershëm do të jetë zbatimi në plotni i Ligjit për trashëgiminë ku çdo grua të jetë trashëguese dhe bartëse e barabartë e pronës së paluajtshme”, thotë Haradinaj.