I nominuari për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, sonte ka takuar banorët e komunës së Sharrit.
Haradinaj tha se kjo trevë është një zonë me resurse të mëdha, njerëzore dhe të natyrës, së cilës i ka munguar një vëmendje dhe përkushtim i shtetit, që të marrë hapat e zhvillimit të madh e të shpejtë.
“Mbështetja në sektorin e blegtorisë, por edhe investimet në fushën e turizmit, do t’i bëjnë malet e Sharrit e të Opojës, një oazë të vërtetë zhvillimi në këndin jugor të Kosovës”, tha Haradinaj.
Për më tepër Haradinaj ka shtuar se, natyra e pasur dhe vullneti i madh për punë e zhvillim i njerëzve të kësaj ane, janë mundësi reale për një jete më të mirë e plot atraksion në këtë zonë.
I nominuari për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, u zotua se Qeveria në ardhje do të jetë garant i investimeve dhe zhvillimit në këtë trevë.