Pas tubimit hapës të fushatës zgjedhore në Pejë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe kandidati për kryetar, Fatmir Gashi, kanë mbajtur në orët e mbrëmjes një takim me fermerët e kësaj ane.
Lideri i Aleancës, njëherësh kryeministër i vendit, ka paralajmëruar se Qeveria e tij do ta mbështesë zhvillimin e industrisë së ushqimit; por edhe dhënien e subvencioneve e kredive të favorshme për fermerët.
“Fokusimi i shtetit në industrinë e ushqimit nuk është humbje, sepse ato pare shkojnë te populli, por edhe kontrollon bilancin tregtar. Ne importojmë shumë ushqim. Çdo ushqim që ne e prodhojmë, prapë importohet tek ne. Meqë jemi vend rural dhe kemi papunësi të madhe, është strategji me përkrah fermerin, sepse ferma është ushqim. Jam i interesuar për me zhvillu këtë industri”, ka thënë ai.
Haradinaj ka thënë se do të shikohen mundësitë e subvencionimit të naftës për fermerët që e punojnë tokën.
Gashi: Regjistrimi i tokave pa pagesë
Kandidati për kryetar të Komunës nga Aleanca, Fatmir Gashi, tha se parakusht për zhvillim të bujqësisë është regjistrimi i pronës, që ai premtoi se do të bëhet pa pagesë.
“Pa asnjë cent do të vini t’i regjistroni pronat e juaja, sepse pa toka e pa prona nuk do të mund te përfitoni asnjë grant”.
Gashi premtoi grante e subvencioneve për ferma dhe shtallë të bagëtive, si dhe ujë e rrjet kanalizimi në çdo fshat.