Haradinaj prezanton kandidatët për deputetë nga Kamenica

Prishtinë | 19 Nën 2024 | 20:25 | Nga Ekonomia Online

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj në një tubim në Kamenicë ka prezantuar kandidatët për deputetë nga kjo komunë.

Teksa ka prezantuar kandidatët për deputetë, Faton Jakupin dhe Fatmir Matoshin, Haradinaj është shprehur se “Kamenica meriton më shumë se premtime boshe”.

“Kamenica meriton më shumë se premtime boshe. Sot, së bashku me kandidatët për deputetë të Koalicionit AAK – NISMA – KONSERVATORËT – E30, nga kjo komunë, Faton Jakupin dhe Fatmir Matoshin, prezantuam planin tonë konkret për zhvillimin e kësaj zone strategjike kufitare. Vizioni ynë për Kamenicën nuk është thjesht një listë projektesh, por një transformim i plotë që do të ndalë shpërnguljen e qytetarëve dhe do të sjellë zhvillim të qëndrueshëm”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj shtoi se autostrada Prishtinë-Dheu i Bardhë do të hapë perspektiva të reja ekonomike për Kamenicën.

“Autostrada Prishtinë-Dheu i Bardhë do të hapë perspektiva të reja ekonomike për Kamenicën. Ndërtimi i pendave për ujë të pijshëm, zhvillimi i turizmit malor dhe subvencionimi i bujqësisë nuk janë thjesht projekte infrastrukturore – janë investime në të ardhmen e çdo familjeje kamenicase. Këto projekte do të gjenerojnë vende pune dhe do të sigurojnë që rinia jonë të ndërtojë të ardhmen këtu, jo në emigracion”, është shprehur Haradinaj.

Haradinaj ka folur sërish për rëndësinë e anëtarësimit direkt të Kosovës në NATO.

“Programi ynë kombëtar për anëtarësim direkt në NATO përmes Planit Aksional, ulja e taksave për biznesin privat dhe rritja e pagave e pensioneve janë garanci për një Kamenicë e Kosovë më të fortë. Ne do të vazhdojmë infrastrukturën e filluar në 2019, por mbi të gjitha do të sigurojmë që çdo investim publik të përkthehet në mundësi reale për qytetarët. Ndryshimi fillon tani – me vendosmëri, me plan konkret dhe me vullnetin e pathyeshëm për të ndërtuar një Kamenicë që i shërben çdo qytetari”, ka përfunduar Haradinaj.

Të ngjashme