Haradinaj priti në takim një delegacion të boshnjakëve të Malit të Zi që veprojnë në New York

Prishtinë | 31 Kor 2019 | 11:15 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim një delegacion të Këshillit të Boshnjakëve të Malit të Zi që veprojnë në  New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i kryesuar nga Esad Rastoder dhe i shoqëruar nga deputetja Emilia Redzepi.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë, Haradinaj i njoftoi të pranishmit me të arriturat e vendit, proceset politike dhe angazhimin e ekzekutivit në respektimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve dhe ofrimin e kushteve për ta, pa dallime.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, e ka falënderuar Këshillin e Boshnjakëve të Malit të Zi, rrjet ky që është zgjeruar më vonë edhe në përfshirjen e boshnjakëve nga Kosova, Bosnje Hercegovina, Maqedonia, Sanxhaku, Kroacia, Sllovenia për krijimin e një rrjeti të komunikimit, duke ndihmuar boshnjakët përmes projekteve të ndryshme.

“Historia e komunitetit boshnjak në Kosovë është shembull i jetës së përbashkët, është histori e jona, ku bashkë e kemi ndarë të mirën dhe sfidat”, tha kryeministri në detyrë,  Haradinaj.

Kryeministri në detyrë, Haradinaj ka theksuar rëndësinë e respektimit të njëri-tjetrit, pavarësisht dallimeve duke konsideruar si njërin prej komuniteteve që është angazhuar në të gjitha proceset e shtetndërtimit të Kosovës.

Ndër tjerash, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, shtoi se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për një kujdes të shtuar institucional ndaj komunitetit boshnjak, por edhe gjithë komuniteteve tjera që jetojnë në Kosovë.

Nga ana e tyre, Këshillit i Boshnjakëve të Malit të Zi që veprojnë në  New York të ShBA-së e falënderuan kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj për pritjen dhe për përkushtimin e tij që t’iu qëndrojë afër komuniteteve të Kosovës.

Të ngjashme