Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim një delegacion slloven, përfaqësues të Bankës sllovene për eksport dhe zhvillim “SID Bank”, në përbërje nga Alojz Kraçun dhe Miro Reven, me të cilët ka biseduar për mundësitë që ofron Kosova për investitorët e jashtëm potencialë.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se institucionet e Kosovës kanë punuar me përkushtim në përmirësimin e legjislacionit dhe kanë krijuar klimë të favorshme dhe ambient më të mirë të të bërit biznes përmes zonave të lira ekonomike, lehtësirave të ndryshme fiskale, shkurtimin e procedurave burokratike.
Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se Kosova tashmë e ka Ligjin për Investime Strategjike, i cili ka filluar të jap rezultatet e para me shprehjen e interesimit të disa investitorëve potencialë.
“Bizneset nga Sllovenia janë të pranishme në një pjesë të madhe të tregut të Kosovës. Po ashtu edhe investimet në fushën e bujqësisë do të jenë shtyllë e fuqishme e rritjes së bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve tona”, tha kryeministri Haradinaj.