Kryeministri, Ramush Haradinaj, vuri kurora lulesh në Kompleksin Memorial dhe mori pjesë në Akademinë Përkujtimore që u organizua nën patronatin e Presidentit, Hashim Thaçi, me rastin e 19 vjetorit të masakrës së Reçakut.
Kryeministri Haradinaj, para të pranishmëve në këtë akademi, familjarëve të të vrarëve dhe personaliteteve të jetës politike e akademike, tha se këtë ditë e ndan dhe e kujton me shumë respekt.
“Kur jam këtu, e di që jam në Krushë, që jam në Meje, që jam çdo kund në Kosovë. Rruga jonë e lirisë nuk ka qenë e lehtë. Deri në liri kemi shumë dhimbje, shumë vuajtje, shumë flijime, njëkohësisht edhe rruga jonë për shtetin e Kosovës nuk është e lehtë, por nëse besojmë në të drejtën tonë ja dalim dhe do t’i mbetemi çdoherë besnik të drejtës sonë. Lavdi e përjetshme!”, tha kryeministri Haradinaj.
Në këtë Akademi Përkujtimore para të pranishmëve foli edhe presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, ambasadori William Walker, dhe Xhavit Jashari në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK.
Në fund me një kronologji të pranishmëve iu drejtua Fehmi Mujota, ndërsa në emër të fshatit Reçak, të pranishmit i falënderoi kryetari i fshatit, Adem Ramadani.