Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj se në muajin janar do të përfundojë çështja rreth shfuqizimit të Ligjit për Gjykatën.
Madje, ai tha se edhe disa deputetë të LDK-së do ta mbështesin një vendim të tillë.
“Po them se do të bëhet kuorumi dhe pres që brenda muajit do të përfundohet kjo çështje. Kemi biseduar me secilin deputet, kemi deputet edhe në LDK që në minimum do të abstenojnë, nëse nuk votojnë pro… Ka njerëz në LDK që do të abstenojnë dhe ka edhe të atillë që do të votojnë pro. Ka ndodhur një keqkuptim, atë natë kur u thirr mbledhja e kryesisë kanë pasur të votojnë 7 deputetë të LDK-së që do të votonin pro”, u shpreh Haradinaj në TV Dukagjini.
Ai tha se po bëhet shumë pompozitet dhe se krijohet një frikë e panevojshme, pasi sipas tij, edhe ndërkombëtarët do të ndërrojnë qëndrim për Gjykatën Speciale pasi që Kuvendi ta shfuqizojë Specialen.
“Po bëhet shumë pompozitet, mendoj që po shpallet një frikë e panevojshme në popullatë. Është frikë e panevojshme pa marrë parasysh a thotë Amerika, ata kanë detyrën e tyre për të thënë ashtu. Ju siç e dini, Amerika dhe Anglia edhe kur e kemi fillua luftën na kanë quajtur harbut, kaçak, irredentistë dhe në fund na kanë përkrahur e ndihen krenar. Kështu që ata do të ndërrojnë qëndrim në momentin që na shohin se jemi të vendosur dhe për këtë jemi të bindur”, tha më tutje Haradinaj.
Ai tha se shfuqizimi i Gjykatës Speciale nuk është “thikë pas shpine” për ndërkombëtarët.
I pyetur se çka do të ndodhë nëse nuk votohet shfuqizimi i Gjykatës Speciale, ai tha “Do të votohet. Do të votohet”.