Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka dënuar sulmin ndaj gazetarit Visar Duriqi, duke e quajtur atë akt të shëmtuar e të papranueshëm.
“Dhuna është e papranueshme dhe e pajustifikueshme prej kujtdo që ushtrohet, e ndaj cilitdo që dhunohet. Është e shëmtuar kur sulmohet liria e shprehjes dhe e fjalës së lirë, siç ndodhi mbrëmë ndaj gazetarit Visar Duriqi”, është shprehur ajo teksa ka kërkuar nga autoritetet përgjegjëse që sa më parë të identifikojnë e të nxjerrin para drejtësisë kryesin e këtij sulmi brutal.
“Kjo ngjarje është po ashtu një alarm se media e lirë në një shoqëri demokratike duhet të ruhet e kultivohet me çdo kusht e çmim, dhe se secili prej nesh pa dallim duhet të shtojë përpjekjet për të lartësuar këtë vlerë themelore”.
Ministrja Haradinaj-Stublla ka thënë tutje se Republika e Kosovës është mbështetëse e Deklaratës së Hagës për Rritjen e Sigurisë së Gazetarëve si pjesë e Konferencës Botërore për Lirinë e Medias, përkrah 52 vendeve të tjera të botës si SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Holanda, Gjermania e Franca ku bëhet thirrje për angazhim urgjent në nivelin politik për të krijuar ose forcuar masat parandaluese dhe mbrojtëse në nivel kombëtar, kundër kërcënimeve dhe të gjitha format e dhunës të përjetuara nga gazetarët dhe punëtorët e medias, si dhe ndërmarrja e hetimeve të pavarura e ndjekje penale të të gjitha formave të krimeve në internet dhe në terren kundër gazetarëve dhe punonjësve të medias.
“Le të punojmë secili pa përjashtim për të lartësuar këtë zotim dhe për të ruajtur e forcuar vlerën demokratike të etabluar tashmë të lirisë së medias. Kosova duhet të mbetet kampion në Ballkanin Perëndimor (e më gjerë) në mirëmbajtjen e kësaj vlere. Jam e bindur që ky sulm – assesi nuk do ta ndalë Visarin ta thotë gjithmonë mendimin e tij, dhe të vërtetën!”, ka thënë shefja e diplomacisë kosovare.