Kosova dhe Shqipëria e kanë ndërtuar të kaluarën dhe të tashmen, duke qenë një dhe po në këtë trase, do të vazhdojmë rrugëtimin tonë, tha të martën Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla, në takimin që zhvilloi me Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë.
“Sot në një takim shumë të përzemërt me Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, z.Qemal Minxhozi, ritheksuam nevojën e një dinamike të re bashkëpunimi dhe aspirate drejt integrimit euro-atlantik dhe avancimit të prioriteteve tona të përbashkëta”.
Në këtë takim, Kryedimplomatja e Kosovës falënderoi Ambasadorin Minxhozi edhe për kontributin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë në të gjithë rrugëtimin e shtetëndërtimit të Kosovës, që nga çlirimi e në vazhdimësi.
“Po ashtu, kërkova mbështetjen e Shqipërisë edhe më tutje në proceset që i kemi përpara, që janë jetike për Kosovën dhe për çështjen shqiptare në përgjithësi”, tha Ministrja Haradinaj-Stublla.