Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj.Meliza Haradinaj–Stublla, në emër të Republikës së Kosovës dhe popullit të saj, ka uruar Republikën e Austrisë me rastin e Ditës Kombëtare.
Duke shprehur urime të përzemërta për popullin dhe institucionet austriake, Ministrja Haradinaj–Stublla theksoi se lidhjet midis dy popujve janë të vjetra, dhe se është falënderuese për përkrahjen e madhe të Austrisë përgjatë viteve, për mbështetjen e treguar ndaj diasporës dhe mundësinë e dhënë për shkollim të mijëra studentëve nga Kosova.
Pavarësia e Republikës së Kosovës është njohur nga Republika e Austrisë më 28 shkurt 2008, ndërkohë që të njëjtën ditë janë vendosur edhe marrëdhëniet diplomatike, të cilat sipas Kryediplomatës së Kosovës janë të shkëlqyera dhe do të vazhdojnë të thellohen tutje, në të gjitha fushat me interes për popujt e të dyja vendeve.