Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në margjina të Konferencës për Ekonomi në kuadër të Procesit të Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Budvë, ka zhvilluar një takim të përbashkët me kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz dhe kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq.
Gjatë takimit, është biseduar për bashkëpunimin dhe integrimet rajonale për të cilat kryeministri Haradinaj shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që të jetë kontribuuese në këtë rrugë të përbashkët të vendeve të rajonit, në të njëjtën kohë kërkoi nga kancelari Kurz mbështetjen e Austrisë në këtë proces.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj i njoftoi kancelarin Kurz dhe kryeministrin Markoviq për zhvillimet e përgjithshme në vend, përkushtimin e institucioneve në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe agjendën e reformave evropiane.
Kryeministri Haradinaj, vlerësoi raportet e mira të Kosovës me të gjitha vendet e rajonit, si dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës në dialogun me Serbinë për të arritur një marrëveshje ligjërisht obligative, e cila do t’i kontribuonte stabilitetit rajonal dhe më gjerë.
Kryeministri Haradinaj kërkoi nga bashkëbiseduesit mbështetjen e vendeve mike në konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës si dhe në rrugëtimin euroatlantik të saj.