Kandidati për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj ka vizituar sot Qendrën e Pensionistëve të Kosovës, kategori kjo e përbuzur nga pushtetet e kaluara.
Haradinaj ka thënë se në mandatin e ardhshëm katër vjeçar do të kujdeset që të gjitha barnat të jenë falas dhe të lirohen nga pagesat komunale si shoqatë.
“Në Qendrën e Pensionistëve të Kosovës, për t’i ofruar mbështetjen time kësaj kategorie të përbuzur nga pushtetet e kaluara. Biseda përmbajtësore me kryetarin e Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës – Shaban Kajtazi, kryetarin e Shoqatës së Pensionistëve të Prishtinës – Asllan Asllani, Qerim Gashi – anëtar i kryesisë së Shoqatës. Gjatë diskutimit me ta u zotova se do të kujdesemi që të gjitha barnat të jenë falas dhe që si shoqatë të jenë liruar nga gjitha pagesat komunale”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.
Ai ka thënë se në qeverisjen e tij në Kryeqytet, kujdesi dhe trajtimi i tyre do të jetë njëri ndër veprimet e para që do të ndërmerrë.
“Kërkesat dhe nevojat e tyre janë modeste dhe lehtë të realizueshme, që nuk e rëndojnë buxhetin e Komunës. Si kategori e veçantë, përfaqësuesit e pensionistëve do të jenë të trajtuar me dinjitet. Përfaqësuesi i tyre brenda Komunës, kësaj kategorie do t’i mundësojë çasje direkt në vendimmarrje. Do të kujdesemi që shërbimet shëndetësore për pensionistë dhe trajtimi i tyre në qendrat rehabilituese të jetë njëri nga veprimet e para që do ndërmarrim në qeverisje”, është shprehur Daut Haradinaj.