Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Prodhuesve të Pijeve Alkoolike dhe Joalkoolike, të kryesuar nga Fejzullah Mustafa.
Kryeministri Haradinaj ka shprehur përkrahjen e tij për këtë shoqatë, duke theksuar se Qeveria që ai drejton do të jetë gjithnjë e hapur për bashkëpunim dhe mbështetje, pasi që këta prodhues janë partner të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Shoqatës kanë uruar kryeministrin Haradinaj për marrjen e detyrës së udhëheqjes së ekzekutivit, duke e falënderuar për punën e madhe që po bënë që në ditët e para të mandatit.
Ata e falënderuan kryeministrin në emër të të gjithë prodhuesve për heqjen e taksës ujore, vendim që do të ndikoj edhe në rritjen e aftësisë së tyre për të qenë konkurrent në tregjet e rajonit dhe më gjerë.
Në takim është diskutuar rreth kërkesës së Shoqatës për heqjen e akcizës në shitje dhe prodhim, që është në fuqi nga vitit 2006, por nuk aplikohet në vendet fqinje dhe as në vendet e BE-së. Heqja e kësaj akcize, sipas Fejzullah Mustafës, do të ndikoj në rritjen e numrit të të punësuarve.
“Si prodhues, jemi në disavantazh karshi prodhuesve të rajonit dhe të BE-së” ka thënë z. Mustafa.
Kryeministri ka shprehur edhe njëherë përkushtimin e Qeverisë që ai drejton për të bërë lehtësira për prodhuesit vendor, duke theksuar se do të shihet mundësia që kjo taksë të hiqet, nëse një praktikë e tillë ekziston në vende tjera.