Çështja e demarkimit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi ishte temë e takimit elektoral që lideri i AAK-së dhe kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, pati të dielën me banorë të Rugovës së Pejës.
Haradinaj tha se Rugova është identitet i Kosovës dhe përsëriti se kufiri është në Çakorr e Kullë.
Kreu i Qeverisë shpjegoi para rugovasve se me të marrë detyrën e ka shkarkuar komisionin e vjetër të demarkacionit dhe e ka emëruar një të ri me në krye Shpejtim Bulliqin.
“Ne kemi pasur komision të shtetit por i ka shtu do letra gabim dhe ka ardhë një komision i huaj e ia ka pranu ato letra. U dash me shkarku atë komision, e kur i kam qu këta të ritë aty, kurrkush në zyre nuk ka qenë”, ka shpjeguar Haradinaj, para banorëve disa prej tyre dhe në moshë të shtyrë ,të mbledhur në njërin nga restorantet në rrugën Pejë-Rugovë.
Haradinaj tha se komisionit të ri ia ka dhënë detyrën që çdo dokument që është në Kosovë ta gjejnë dhe posdeojnë. “Ju kam thënë se kushdo që këta kanë punë e lypin dokumente e nuk ua jep, ka me i qu në shpi si ata të tjerët”.
“Javën që shkoj ua kam dhënë 50 mijë euro. Mu nuk po më vyen me më dasht mu, e as me dasht Rugovën, por vetëm me kallxu që kufiri është në Çakorr e te Kulla e Zhlepit. Amerika e as Evropa nuk ka faj, por shteti ynë, se na kemi insistu”.
“Ama kur shteti flet me fakte kurrkush nuk mundet me të ndalë. Unë kam besim të madh që do dalim ku duhet, e do të dalim faqebardhë. Nuk kemi interes me dalë keq para Malit te Zi, por kufiri është në Çakorr, të Kulla e Zhlepit e tek Majat e Larta”, ka thënë ai.
Haradinaj ka zbuluar se në urimin për marrjen e detyrës që ia kishte dërguar sekretari i Shtetit të ShBA-së, ia ka thënë që çështja e demarkacionit duhet të zgjidhet. “Nuk thotë është, s’është, por ka thanë pyetja është të demarkacioni”, ka thënë Haradinaj.
Gashi: Do ta ndërtojmë Rugovën deri në Çakorr
Kandidati për kryetar të Pejës, Fatmir Gashi, ka thënë se Rugova është pjesa më e mirë e Kosovës.
“Do ta ndërtojmë Rugovën deri në Çakorr”, ka thënë Gashi.
Ai ka thënë se AAK-ja i di obligimet ndaj rugovasve: Ndryshimin i Projektligjit për Parkun Nacional, Demarkacioni i kufirit në Çakorr, Majat e Larta dhe Kullë dhe infrastrukturë më e mirë për këtë rajon.
“Rugova do të ketë rrugë, kanalizim, ujësjellës; njëjtë sikurse qyteti”, është zotuar kandidati i Aleancës.