Haradinaj takon senatorin Rounds: Kosova qëndron krah ShBA-së si partner strategjik afatgjatë

Prishtinë | 01 Shk 2023 | 17:52 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka takuar sot Senatorin amerikan, Mike Rounds.

Haradinaj ka deklaruar se marrëdhëniet mes dy vendeve dhe bashkëpunimi për siguri, ka avancuar.

“Marrëdhënia bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkëpunimi për siguri dhe mbrojtje është avancuar falë angazhimit të miqve tanë. Një nga ta është edhe Senatori Mike Rounds me të cilin sot zhvillova një takim pune në Ëashington. Roli i tij si anëtar i Komitetit për Politikë të Jashtme dhe i Komitetit për Ushtrinë në Senatin amerikan është ndihmesë e madhe në forcimin e mëtejmë në këto dy fusha me rëndësi për Kosovën”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka riktheksuar përkushtimin e Kosovës për të vazhduar krah ShBA-së si partner strategjik afatgjatë.

“Në takim kërkova mbështetjen e vendit tonë në procesin e Partneritetit për Paqe dhe anëtarësimit të Republikës së Kosovës në NATO! Po ashtu, ritheksova përkushtimin e Kosovës për të qëndruar krah ShBA-ve, si partner strategjik dhe afatgjatë”, ka përfunduar Haradinaj.

Të ngjashme