I nominuari për kryeministër të Kosovës i koalicionit PDK – AAK dhe Nisma, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim përfaqësuesit e sindikatave të punëtorëve dhe të bizneseve të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ramush Haradinaj pas takimit me sindikalistët ka thënë se kanë biseduar për kërkesat legjitime dhe kërkesat e punëtorëve.
“Është një kontribut i tyre i mirë për ndjenjën tonë të përgjithshme për atë si ka rezultuar me u përmbyll projekti yni me pavarësi. Kemi një përvojë të bashkëpunimit me Bashkimin e Sindikatave të Kosovës nga marrëdhënia trepalëshe që është publiku, sindikatat dhe sektori privat në atë kohë ka rezultuar edhe me disa të arritura të kohës së qeverisjes sime mirëpo tani kam kënaqësi të kthehemi sërish në temë dhe të bisedojmë për kërkesat legjitime, për të drejtat e punëtorëve. Jam më i informuar dhe më në temë dhe besoj se do të punojmë si dikur si partnerë në një tavolinë. Zotimi im është se të gjitha punët do t’i bëjmë bashkë”, ka thënë ai.
Haxhi Arifi, kryetar i BSPK-së, ka thënë se kemi biseduar për kërkesat tona.
“Edhe ne si BSPK jemi që ta kemi në partneritet të sinqertë siç është punëmarrës dhe qeveri dhe bashkërisht t’i realizojmë kërkesat e punëtorisë kosovare dhe të gjejmë zgjidhje edhe afatgjata sepse sot e dimë se në çfarë gjendje janë punëtoria dhe cila është papunësia në Kosovë. Mbesim me shpresë që do të realizohen këto sepse ka mundësi që një bashkëpunim i tillë do të jep rezultate në të ardhmen”, ka deklaruar Arifi.
Sipas tij, një bashkëpunim i ndërsjellë do të japë rezultate.