Kosova duhet të kthehet në shembull për respektim të të drejtave të njeriut, u tha në takimin e mbajtur nga Grupi koordinues ndërministror për të drejtat e njeriut në Kosovë.
Kryeministri Ramush Haradinaj tha se Kosova duhet të kthehet në shembull të respektimit të drejtave të njeriut, raporton Ekonomia Online.
“Duhet të definohen të drejtat e njeriut dhe të zbatohen në norma ligjore, në rregullativa. Sikurse e dimë, në Kosovë janë aprovu disa ligje që kanë peshë, që japin një garancë për zbatimin e të drejtave të njeriut. Të drejtat e njeriut janë një konventë e gjerë dhe përfshihen edhe në kushtetutë. Ka ligje të posaçme për këtë fushë dhe unë jam i gëzuar që Kosova ka ligjin të drejtat nga diskriminimi. Këto ligje kanë mundësu për me i rujtë të drejtat e njeriut. Kosova duhet të kthehet në shembull të respektimt të të drejtave të njeriut”.
Ministri i MPMS-së, Skënder Reçica, tha se ministria është e përkushtuar t’u sigurojë të drejta personave të dhunuar gjatë luftës, raporton EO.
“MMPS-ja është duke zbatuar ligjin për kategoritë e dala nga lufta ku bëjnë pjesë edhe viktimat e luftës seksuale në Kosovë. Kemi nxjerrë disa rregullore ku është vendimi për kompensimin e lehtësisë së personave të dhunuar gjatë luftës, për të ndihmuar këtë proces janë zgjedhur 4 organizata joqeveritare. 827 raste i janë njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës. Ky ka qenë një proces i gjatë dhe ka kërkuar vendosmëri. Konsideroj qe me statusin e njohjes së personave të dhunuar gjatë luftës ne nuk i kemi kryer të gjitha obligimet, në duhet ta luftojmë stigmën, t’i rehabilitojmë dhe të sigurojmë drejtësi për ta”.
Avokati i Popullit Hilmi Jashari porositi institucionet dhe ministritë t’i zbatojnë rekomandimet e këtij institucioni.
“Të drejtat e njeriut shpeshherë i shohim si pjesë teorike dhe këtu qëndron mangësia. Numri i rekomandimeve që kanë mbetur pa u zbatuar nga viti në vit është shumë i madh. Është hera e parë që Kuvendi i Kosovës mban seancë për zbatimin e rekomandimeve që dalin nga Avokati i Popullit. Kjo është mundësi e mirë me i bë ministrat me punu dhe me i zbatu rekomandimet që i kanë lënë pas dore. Janë 132 rekomandime që i janë adresuar institucioneve”.
Abduselami Shkodra, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, tha se janë të përkushtuar në ruajtjen e të drejtave të njeriut e sidomos fëmijëve dhe personave të riatdhesuar.
“Kemi ndërmarrë një sërë masash për parandalimin e dhunës dhe veprimeve që cenojnë të drejtat e njeriut e sidomos të fëmijëve. Një dimension që prek të drejtat e njeriut janë edhe cenimi i të drejtave të fëmijëve të riatdhesuar”.