Kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë fjalimit të tij në seancën e sotme të interpelancës të kërkuar nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike, në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare për KOSTT-in, tha se tema e energjisë duhet të trajtohet para temave të tjera.
“Ne kemi arritë në këtë fazë që nuk po ndodh më dialogu teknik për shkak të kësaj situate, e kemi konsideru të panevojshme diskutimin në tavolina kur energjia nuk është në pikë të parë, ata e kanë vendosë asociacionin që edhe BE po e konsideron drejt. Nuk ka logjikë të trajtohen temat tjera e jo tema e energjisë”.
Hykmete Bajrami, në emër të GP të LDK-së, tha se Kosova po humb para nga moskontrolli i aseteve të veta në veri.
“Astetet e KOSTT-it, KEDS-it, KEK-ut nuk janë në kontrollin e Kosovës që janë në veri. Kosova po humb para nga moskontrolli i asteve të veta në veri. Situata e krijuar nuk është e mirë, sipas ZRRE-së pasojat janë të mëdha, ndikojnë në furnizimin e asaj pjese. Pjesa e veriut vazhdon të paguhet nga KOSTT-i, janë paguar 53 milionë që nga viti 2012”.
Bajrami tha se LDK-ja nuk pret që ZRrE-ja ta bëjë zgjidhjen e këtij problemi, raporton EO.
“Ajo çka na pengon neve është raporti i ZRrE-së me KEDS-in”, u shpreh ajo.
Sala Berisha-Shala në emër të GP të PDK-së, tha se duhet të harmonizohen rekomandimet për të arritur te një rezultat lidhur me problemet e sistemit elektro-energjetik.
“Sistemi elektro-energjetik i Kosovës po ballafaqohet me probleme të mëdha që nga paslufta. Ky rrjet shtrihet në krejt Kosovën madje edhe në veri. Ne duhet të harmonizojmë rekomandimet për të arritur një rezultat”.