Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se tërheqja e njohjeve të Serbisë, mos liberalizimi i deri tanishëm i vizave dhe mos anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, po vijnë nga përpjekjet e Serbisë që t’i bëj dëm vendit.
Ai ftoi të gjithë qytetarët dhe institucionet e vendit që t’i besojnë narratives së Kosovës pasi që është në interes të të gjithëve, raporton Ekonomia Online.
“Përkraheni narrativen e vendit tuaj sepse është interes i të gjithë neve”, tha Haradinaj.
Haradinaj tha se shumë shtete po ndikohen nga veprimet e Serbisë dhe lobimi i tyre kundër Kosovës, por Kosova do të vazhdoj t’i bind shtetet që fjalët që vijnë nga Serbia janë të rrejshme dhe nuk duhet ndikuar nga ta.
“Ne do ndërmarrim veprime sqaruese do shkojmë në secilin vend që fjalët që vijnë nga Serbia janë të rrejshme dhe nuk duhet ndikuar nga ta”, tha Haradinaj.
Haradinaj tha se Kosova është vend që ka perspektivë dhe mundësi jetese të mirë.
Ai potencoi edhe njëherë që Kosova do ta ketë ushtrinë e saj dhe është e nevojshme ta ketë dhe këtë sepse nuk mund ta mohoi askush.
“Krijimi i ushtrisë apo mandatimi i ushtrisë javën që vjen është proces i brendshëm është në përputhje me kushtetutën tonë, më të avancuarën në botë. Një kushtetutë e cila përmban në vete të gjitha vlerat e demokracisë. Për formimin e ushtrisë kemi zhvilluar biseda intensive me të gjitha palët e interesuara. Aleanca e NATO-s ka peshë të madhe, ajo mund t’i shpreh mendimet e veta, mirëpo Kosova është e sigurt se asnjëherë nuk do t’i sjellë në rrezik marrëdhëniet me NATO-n”, ka theksuar kryeministri.
Sipas Haradinaj, Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet bazike për të qenë ushtri dhe ka shtuar se ushtria nuk e vë në rrezik marrëdhënien me NATO-n.
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka folur për taksën 100 % për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, që ka vendosur Qeveria e Kosovës.
“Unë kam qenë dje në Plemetin ku kam vizituar serbët. Do të shkoj në çdo vend të Kosovës që të tregoj që narrativi që i jepet nga Serbia është i rrejshëm dhe i viktimizon”.
“Tek taksa 100 %, ju falendëroj për përkrahje, e di që e përkrahni me zemër, por edhe duhet të ndërtojmë një narrativ që Kosova të mos bie në planet e një krize humanitare”.
“Nuk kanë mënyra të tjera por kanë një mënyrë që të krijojnë pasoja në planin humanitar që të na nxjerrin sikur ne nuk respektojmë nevojat njerëzore”.
“Dogana, Qeveria dhe institucionet e Kosovës janë kampion të respektimin të drejtave njerëzore”.
Haradinaj që këto komente i ka bërë në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se për të kundërshtuar taksën 100 %, Serbia mund të krijojë disa skenare.