Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, gjatë një tubimi zgjedhor në Pejë, ka paralajmëruar rritjen e pagave në sektorin publik.
Ai tha se kjo do të bëhet krahas rritje së buxhetit të shtetit.
Kreu i Qeverisë tha se “në fillim të mandatit” të qeverisë së tij do të nisin me 5 për qind. “Po them 5 %, e që më pas me vazhdu me 10 % për me arritë 30-përqindëshin e paralajmëruar. Dhe këtë në dinamikë të qëndrueshme”, ka thënë Haradinaj, para pejanëve.
:Pastaj do ta rrisim edhe buxhetin. Të gjitha këto do bëhen me qeverinë time, qeverinë tuaj”.
“Jemi këtu me i përmbush disa kërkesa legjitime të kësaj treve”, tha Haradinaj, në tubimin me qytetarë në Lagjen “Haxhi Zeka” në Pejë. Ai i rikujtoi përkrahësit e AAK-së se tanimë “qeverinë e vendit e udhëheq njeriu i tyre”.
Në vazhdim, Haradinaj ka treguar për disa nga punët që do të bëhen për rajonin e Dukagjinit. Ai tha se punimet në zgjerimin e rrugës Prishtinë-Pejë, pjesa në Kijevë, do të kryhen sivjet “pa rënë bora e parë”.
Kurse, auto-rruga prej Klinës deri në Gjakovë, Haradinaj tha se do të përfundojë në vitin 2019.
“Do të vazhdojmë me rregullimin e infrastrukturës së lumenjve. Ata kanë shumë vlerë”, u shpreh ai.
E kandidati për kryetar të Komunës së Pejës, Fatmir Gashi, ka premtuar se qeverisja e AAK-së do jetë qeverisja më e mirë që ka pasur ndonjëherë Peja.
Sipas tij, ndryshimi në Kosovë tashmë ka nisur të ndodhë me marrjen e drejtimit të Qeverisë nga AAK-ja.
“Ne ju garantojmë që në qeverisjen tonë do të shkojmë kah zhvillimi i Pejës, i cili shquhet si qytet i sipërmarrësve te mëdhenj”.
Ai tha se gjatë mandatit të tij do të hapen 5 000 vende të reja pune. “Do të ndërtojmë qendrën e sipërmarrësve; dhe të gjithë ata që janë të interesuar do të punojnë. Vetëm këtu do të punësohen 2 500 veta”.
Ai tha se përparësi do të kenë të papunët dhe familjet e dëshmorëve dhe të invalidëve të luftës. “Për 500 të rinj do të japim grante nga 5 mijë euro”, ishte premtimi tjetër i Gashit.
Ai ka thënë se do t’i kushtojë rëndësi dhe rasteve sociale. “Nuk do të lejojmë që qytetarët të mos kenë strehë. Gjatë mandatit tim do të ndërtohen banesa sociale në mënyrë që askush të mos mbetet pa kulm mbi kokë”, ka thënë kandidati për ta drejtuar Komunën e Pejës.