Kryeministri Ramush Haradinaj në fjalimin e tij në Kuvend është pyetur për shkarkimin e Bordit të Agjencisë për Akreditim.
Kryeministri tha se gjendja në arsim nuk është e mirë dhe se qëllimi i këtij shkarkimi nuk ka të bëjë me ndonjë kuadro apo se mund të jetë privilegj i dikujt tjetër.
“Shpreha një papajtueshmëri në një gjendje, ky është qëllimi dhe se kjo është e vërteta e asaj që ka ndodhur. Ky nuk është vetëm një vlerësim i vlerave e të individëve por ky është vlerësim i gjendjes në sektor”, u shpreh kryeministri.
Deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, gjatë seancës së sotme plenare ka kërkuar përgjigje nga kryeministri Ramush Haradinaj rreth vendimit të tij për shkarkimin e bordit të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, duke thënë se cilat janë gjetjet rreth këtij bordit që shtynë deri në shkarkimin e tyre.
Haradinaj ka thënë se i vetmi qëllim i tij, kur ka shkarkuar bordin e AKA-së, ka qenë tema e rëndësishme, siç është cilësia e arsimit të lartë dhe asnjë tjetër.
“Nuk është për asgjë tjetër por për një rinisje tjetër, për rritje të cilësisë, sepse nuk guxojmë të lejojmë një gjendje që nuk përmbush misionin që ka arsimi i plotë”, iu përgjigj kryeministri.