Edhe më tutje Lidhja Demokratike dhe Vetëvendosje mohojnë bashkëpunimin me koalicionin PAN, e edhe më tutje Ramush Haradinaj, shprehet i bindur se do ta formojë qeverinë, e këtë do ta arrijë me deputetë shqiptarë edhe nëse s’e pranojnë subjektet e tyre.
Haradinaj ka treguar se takohet me zyrtarë të Lidhjes Demokratike e të Lëvizjes Vetëvendosje, pasi që me ta, siç thotë ai, i lidhin etapa të ndryshme.
Ai ka shpjeguar raportet e mira që ka me anëtarë të partive që po i kundërshtojnë koalicionet me PAN-in.
Kandidati për kryeministër ka thënë se ai dëshirohet në pozitën që po e synon edhe nga deputetë jashtë PAN-it, por që pengesë për ta mbështetur atë janë qëndrimet partiake e edhe fakti që pjesë e gjithë kësaj është edhe PDK.
Ndërsa për qeverinë, Haradinaj thotë se do ta formojë sapo t’i jepet mandati, e do të provojë që të bind LDK-në, e nëse kjo dështon, shpresat i ka te deputetët që tashmë, thotë, se ia kanë konfirmuar mbështetjen.