Në tubimin e radhës elektoral të mbajtur në Viti, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh Kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj, para të pranishmëve tha se vitiasit nuk do të ndjehen të huaj nga përkushtimi i qeverisë qendrore.
Me këtë rast i pari i AAK-së i ka ftuar banorët e kësaj komune që ta votojnë kandidatin e kësaj partie për kryetar, Faruk Nuraj, duke u premtuar se ai do të jetë një urë e komunikimit të shpejtë me qeverinë dhe udhëheqjen komunale.
“Unë jam sot në Viti për të thënë se do të punoj shumë për këtë qytet. Ju nuk do të jeni më të huaj. Nëse e votoni kandidatin tonë, Farukun do të jeni shumë pranë përkujdesjes sonë. Nëse ka dikush që i kryen punët sot, është ky pranë juve, Faruku,” është shprehur Haradinaj.
Kreu i AAK-së, duke përshkruar punën e tij si kryeministër, ka rrëfyer se çdo ditë gjendet para vendimeve tejet të mëdha për vendin. Duke u bazuar në këtë, Haradinaj është shprehur se edhe Vitia me rrethinë do të jenë pjesë e këtyre vendimeve për zhvillim të tërësishëm të vendit.
“Unë gjatë çdo dite, jam para vendimeve të mëdha…Jam mësuar që të marr vendime të rëndësishme. Por e di që kemi njerëz të zot nga ky rajon, që i kanë ndihmuar Kosovës. Tash e tutje edhe Kosova do t’i ndihmojë këtij rajoni”, ka thënë ai.
Kandidati i AAK-së për kryetar të Vitisë, Faruk Nura, u ka premtuar të pranishmëve se në një mandat të tij si kryetar, së bashku me Haradinajn kryeministër, Vitia do të përfitojë shumë në zhvillimin e të gjitha fushave.
“Unë kërkoj që Vitisë t’i kthehet dinjiteti. Së bashku me kryeministrin Haradinaj, Vitia do të jetë e vitiasve.”
Ai u ka garantuar vitiasve se në rast të fitores, do të angazhohet në përmirësimin e shërbimeve publike, themelimin e drejtorisë së Diasporës si dhe nxitjen e investimeve.
“Premtoj se, që nga dita e parë e qeverisjes time, Vitia do t’i ketë ndërmarrjet e veta të shërbimeve publike, që të përfundojë angazhimi i atyre nga Gjilani. Do ta ndërtojmë një fabrikë të përpunimit të mbeturinave dhe riciklimit të tyre. Do të krijohet fondi për punësim, drejtoria e Diasporës, që do të nxisë investimet nga bashkatdhetarët tanë”, ka thënë Nura.
Haradinaj së bashku me Nurën prezantuan edhe kandidatët për asambleistë në Kuvendin Komunal të Vitisë, nga radhët e AAK-së.