Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka shkuar për vizitë në qytetin e Vlorës dhe është takuar me kryebashkiakun Dritan Leli.
Gjatë vizitës në Vlorë, kryeministri ka vendosur kurora me lule pranë varrit të Ismail Qemalit, ka vizituar monumentin e Pavarësisë dhe Muzeun Historik.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se ndihet i lumtur që është prezent sot në Bashkinë e Vlorës dhe po ndihet me vlonjat se kurrë, raporton Ekonomia Online.
“Sot jam vlonjat dhe ndihem më shumë se çdo herë shqiptar, jam në Vlorë, në zemrën e shqiptarëve”, tha Haradinaj.
“Shpreh respektin dhe falënderimin tim të madh dhe të popullit të Kosovës për mundësinë që sot të jemi bashkë në nderim, jo vetëm të historisë sonë të lavdishme e të çmuar, por edhe për mundësinë që të ndërtojmë të ardhmen tonë po aq të lavdishme duke ndihmuar njëri-tjetrin dhe do të jemi çdo herë e më afër”, tha Haradinaj.
Haradinaj u bëri thirrje shqiptarëve në përgjithësi që ta vizitojnë Vlorën gjatë pushimeve verore.
“Sot jam i nderuar qe jam në Vlorë dhe ju bëj thirrje qytetarëve të Kosovës, shqiptarëve ku janë edhe në diasporë, është zemra jonë Vlora dhe të vijnë tani edhe në verë për pushime, sepse jam i bindur se duke qenë më afër njëri-tjetrit e ndihmojmë veten”, tha ai.
Ndërsa, kryebashkiaku i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli e falënderoi kryeministrin Haradinaj për vizitën e sotme të tij në Vlorë duke e quajtur si vizitë historike, raporton EO.
“Sot në Vlorë në një ceremoni simbolike jemi së bashku për të vlerësuar njeriun më të madh historik të kombit, Ismail Qemali. Jam i bindur që çdokush me veprën që bën në fund fare mund të bëjë histori. Ismail Qemali bëri historinë e madhe të shqiptarëve dhe ne jemi duke e vlerësuar të gjithë së bashku duke u përpjekur që secili nga ne në rrugën e vet të bëjë historinë e tij për të mirën e vendit dhe të Shqipërisë”, tha Leli.