Gjatë vizitës së tij në Suharekë, kryeministri Ramush Haradinaj ka qëndruar në kompaninë “Frutex” me rastin e përurimit të linjës së eksportit për në Irak.
Haradinaj ka thënë se kjo kompani është në mesin e 15 tatimpaguesve më të mëdhenj të Kosovës, ndërsa sa i përket prodhimit zë vendin e parë në vend, raporton Ekonomia Online.
Ai shtoi se kompania ndikon në punësimin e njerëzve dhe zhvillimin ekonomik.
“Kjo flet shumë. Kontribuon në ekonominë tonë, në prodhim, punësim por edhe në buxhetin e vendit. Kemi ardhur për t’i dhënë përkrahje simbolike fillimit të eksportit për Irak”.
Pronari i kompanisë “Frutex”, Shaqir Palushi, tha se po fillojnë eksportin e një kontigjenti për në Irak në vitin kur nga qeveria Haradinaj janë krijuar lehtësira nga të cilat, sipas tij, kanë përfituar si prodhues duke u liruar nga pagesa e doganës për lëndë të parë dhe material.
Ai bëri të ditur se sivjet eksporti i produkteve të tyre është rritur për 15 për qind, raporton EO.
“Krejt kjo ka pasur impakt në kompaninë tonë duke rritur investimet, kapacitetet, por duke rritur edhe numrin e të punësuarve dhe të ardhurave të tyre”.
“Këtë vit kompania jonë ka pasur rritje të eksportit prej 15 për qind dhe presim që kjo rritje të vazhdojë edhe në vitet në vazhdim”.