Haradinaj vrapon në gjysmëmaratonë, thotë se duhet të përmirësohet edhe më tej organizimi

Prishtinë | 28 Pri 2019 | 13:25 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në Gjysmëmaratonën e Prishtinës e cila po mbahet për të 19-tën herë me radhë në Kosovë, në të cilën marrin pjesë garues nga vendi, rajoni dhe bota, e organizuar nga Federata e Atletikës e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport dhe Komunën e Prishtinës.

Pas përfundimit të shtegut 21 kilometërsh, kryeministri Haradinaj ka përgëzuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë garë.

“I përgëzoj të gjithë garuesit, prej më të rinjve e deri të më të vjetrit, pjesëtarët e policisë, ekipet mjekësore, ushtarët e FSK-së, të cilët u kujdesen për mbarëvajtjen e kësaj ngjarjeje, që ka qenë e mrekullueshme. Është e mundur të bëhen edhe disa përmirësime në organizim, që të jemi edhe ne në hap me trendët globale, duke bërë ndryshime në rrugë dhe mos të dërgohen më sportistët kah Obiliqi për shkak të tymit”, tha kryeministri Haradinaj pas përfundimit të shtegut 21 kilometërsh.

Pas përfundimit të gjysmëmaratonës organizatorët ndanë çmimet për të gjitha kategoritë e vrapuesve në këtë garë.

Gjysmëmaratona e Prishtinës është gara me e madhe sportive ndërkombëtare që zhvillohet dhe promovon Kosovën në arenën ndërkombëtare përmes sportit.

Anita më e shpejtë se Haradinaj

Pjesë e gjysmëmaratonës ishte edhe bashkëshortja e Haradinajt, Anita Haradinaj, e cila arriti në finish më herët se Ramush Haradinaj. E ky i fundit tha me shaka se nuk po i vjen edhe aq mirë që bashkëshortja e tij Anita prapë e sfidoi dhe doli para tij, por ai e pranon që sportistët e mirë fitojnë.

“Nuk më vjen mirë për besë, por çka me bë, sporti është sport, sportistët e mire fitojnë”, tha ai, raporton EO.

Haradinaj gjatë vrapimit ka mbajtur fanellën e futbollistit të njohur kosovar, Xherdan Shaqiri i cili luan për klubin Liverpool, ai tha se ka mbajtur një premtim duke mbajtur fanellën me emrin e Shaqirit.

Të ngjashme