Është mbajtur takimi i dytë konsultativ ndërmjet Qeverisë dhe komunave, nën drejtimin e kryeministrit Ramush Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se nga takimi i parë me komunat kanë punuar në krijimin kushteve ligjore për tu mundësuar atyre të shfrytëzojnë pronat pa pasur probleme. Me këto kushte, sipas Haradinajt, kryetaret janë zot shtëpie në komunat e tyre, raporton Ekonomia Online.
Ndërsa për financimin e projekteve tha se po e trajtojnë me sukses këtë pjesë, por shtoi se është shfaqur problemi me përmbaruesit privat.
“Nga takimi i parë i kemi dy tema, pronat me mundësitë që komunat me pas prona me operuar për interesin e zhvillimit ekonomik. Ju siguroj dhe e shihni që nuk kemi njëjtë, por është e mirë që po krijojmë situatë ligjore ku më në fund jeni zot shtëpie në komunat e juaja. Operimin do ta keni që të mos keni pengesa ligjore”.
“Nuk kemi me u ndal me përmbush pjesën e parë te temës së parë që komunat të kemi në posedim pronat në interes të zhvillimit ekonomik. Tema e dytë lidhet me financimin e projekteve. Po e trajtojmë këtë teme me sukses, por është shfaqur problemi i përmbaruesve dhe të tjera”.
Haradinaj u ka kërkuar kryetarëve të komunave që të shfrytëzojnë këtë klimë ligjore për të përfunduar projektet dhe për të identifikuar nevojat.
“Shfrytëzoni këtë klimë të mirë që ti kryeni projektet e juaja. Jam në shërbimin e juaj dhe mos na kurseni ju lutem. Nëse nuk i identifikuar nevojat e komunave tuaja, përmbyllni. Kuvendi të na ndihmojë që ligji të ecë dhe të zbatohet”.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijevic, tha se kërkesat e komunave janë marrë parasysh dhe janë përfshirë në buxhetin e vitit 2019.
“Kërkesat e komunave janë rregulluar dhe kanë hyrë në buxhetin për vitin 2019. Kemi dizajnuar skemën e përbashkët të granteve për komunat”.
Pas takimit, Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, ka thënë së është lajm i mirë miratimi në Qeveri i Projektligjit për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës, derisa u ka kërkuar deputetëve që ta miratojnë sa më parë.
“Biseduam shume çështje, menaxhimin e pronave. Lajmi i mirë për komunat është që sot qeveria ka miratuar këtë ligj, i cili mas shumë viteve u mundëson dhënien në shfrytëzim pronat. Ka qenë pengesë e madhe. Ky ligj të kalojë sa më shpejtë në Kuvend të të miratohet”.
Naim Ismaji, kryetar i Shtimes dhe ish-kryetar i Asociaconit të Komunave të Kosovës, tha se me miratimin e këtij projektligji në Qeveri është hapur mundësia për zhvillimin ekonomik të komunave sepse sipas tij deri tani mungesa e projektligjit ka penguar këtë zhvillim.
“Ishin temat të rëndësishme. Ky ligj ka qenë pengesë për zhvillimin ekonomik të komunave por edhe të Kosovës. Ka mundësi për zhvillimin e komunave, dhënien në shfrytëzim të tokave dhe atyre që janë në menaxhim të institucioneve qendror si AKP dhe agjencisë së pyjeve. Tani është hapur mundësia për zhvillimin ekonomik të komunave”.
Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuska, tha se mosekzistenca e pronave që kërkohen për investime një nga problemet më të mëdha me të cilat përballen, derisa ka mirëpritur miratimin e projektligjit.
Megjithatë, ai ka kërkuar të ndryshohet pjesa ku përcaktohet pjesa e kthimit të përgjigjes nga AKP-ja te komuna rreth pronave.
“Si kryetar më së shumti po përballemi me këtë problem, jemi të zhveshur nga pronat e paluajtshme. Në Prizren kemi problem me gjet vend për Gjykatën dhe Prokurorinë. Përshëndes projektligjin dhe shpresoj që të na mundësoj që aplikojmë më shpejt te Agjencia e Pyjeve që të bëhet transformimi i pronave. Me ndryshimet për përcaktimin e afateve për kthim të përgjigjes do të ishte më mirë”.
Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka apeluar deputetët që sa më parë të miratojnë këtë Projektligj.
“Ky projektligj është i vonuar por shumë i nevojshëm. Bëjë apel te partitë politike që ta kalojnë ligjin ta rregullojnë me kërkesa e komunave, që 20 përqindësh dhe 5 përqindëshi të mos rëndohen komunat me buxhet”.