Haradinaj priti në takim ambasadorin e Irlandës në Hungari, jorezident në Kosovë, Pat Kelly

Prishtinë | 11 Qer 2019 | 09:28 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim lamtumirës ambasadorin e Irlandës në Hungari, jorezident në Kosovë, Pat Kelly.

Kryeministri Haradinaj e njoftoi Ambasadorin për progresin e arritur në Kosovë dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në zhvillimin ekonomik dhe vullnetin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

Kryeministri Haradinaj vlerësoi kontributin e madh të Irlandës në të gjitha periudhat e shtetndërtimit të Kosovës, me theks të veçantë në ndihmën që i është dhënë vendit tonë në ofrimin e sigurisë dhe paqes, proceset e konsolidimit të jashtëm dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

“Qeveria e Kosovës, me përkrahjen e qytetarëve dhe të partnerëve ndërkombëtarë, është plotësisht e angazhuar në zhvillimin ekonomik të vendit, hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e mirëqenies sociale, proceset integruese evropiane dhe fuqizimin e institucioneve demokratike”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Kosova do të vazhdojë të jetë partner i përgjegjshëm në të gjitha temat e interesit të përbashkët me Irlandën, duke fuqizuar dhe thelluar marrëdhëniet bilaterale.

Nga ana tjetër, ambasadori i Irlandës, Pat Kelly, vlerësoi progresin e arritur, duke shprehur mbështetjen e shumanshme të Irlandës për proceset në Kosovë dhe përkushtimin e Qeverisë së Irlandës për bashkëpunim dhe për të ofruar përkrahje në zhvillimin ekonomik dhe proceset integruese evropiane.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme