Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë, Stephan Harbarth, ka vlerësuar suksesin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke e cilësuar pranimin në Konferencën e Gjykatave Kushtetuese Evropiane si dëshmi të këtij suksesi, raporton Ekonomia Online.
Në ceremoninë e shënimit të 17-vjetorit të themelimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Harbarth ka theksuar edhe lidhjet e ngushta ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, përfshirë marrëdhëniet diplomatike, diasporën kosovare dhe ngjashmëritë kushtetuese të të dyja vendeve.
“Gjykata Kushtetuese Federale e Gjermanisë e ka mbështetur procesin e pranimit për shumë vite, e mirëpret këtë zhvillim dhe është shumë e kënaqur me të. Pranimi në Konferencën e Gjykatave Kushtetuese Evropiane është dëshmi e suksesit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Gjermania ishte ndër shtetet e para që e njohu Republikën e Kosovës dhe vendosi marrëdhënie diplomatike me të pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008. Sot, në Gjermani jetojnë rreth 600 mijë persona me prejardhje ose shtetësi kosovare. Kjo do të thotë se Gjermania është shtëpi e njërit prej komuniteteve më të mëdha të diasporës kosovare në botë. Ky komunitet përbën një urë të rëndësishme lidhëse ndërmjet dy vendeve tona. Republika e Kosovës dhe Gjermania janë të lidhura gjithashtu nga tiparet e përbashkëta të kushtetutave të tyre. Të dyja kushtetutat shënuan një fillim të ri për demokracinë dhe sundimin e ligjit”, potencoi Harbarth.
