Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka zgjedhur kryetar të Gjykatës së Apelit gjyqtarin Hasan Shalën. Ai mori 7 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim.
Ndërsa ushtruesja e detyrës së kryetarit të kësaj gjykate Tonka Berisha nuk arriti të marr vota të mjaftueshme. Ajo mori 6 abstenime, 2 pro dhe 1 kundër.
Gjyqtari Hasan Shala, arriti të marrë shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovë, kundrejt kundër – kandidates Tonka Berishaj. Gjyqtari nga Peja, do ta udhëheq këtë gjykatë për katër vjetet e ardhshme.
Hasan Shala është gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Civil. Ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1988. Provimin e Jurisprudencës e kreu dy vjet më vonë, pasi mbaroi praktiken profesionale në Gjykatën e Qarkut në Pejë. Në vitin 1999 u emërua gjyqtar për kundërvajtje në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje në Pejë. Një vit më vonë, u emërua gjyqtar në Gjykatën Komunale, po ashtu në Pejë. Pasi ushtroi 5 vjet këtë detyrë, në vitin 2005 u bë gjyqtar në Gjykatën e Apelit.
Po në këtë mbledhje, u votua edhe për kryetar të Gjykatës Themelore të Gjilanit, por asnjëri nga të katër kandidatët nuk i mori shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit. Andaj, Këshilli mori vendim të përsëritet konkursi për këtë Gjykatë. Deri në zgjedhjen e kryetarit U.D. i kryetarit u emërua zëvendës kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit z.Afrim Shala.