Hasani informon KON-in për problemet me viza për sportistët kosovarë

Prishtinë | 20 Qer 2017 | 19:00 | Nga

Komiteti Olimpik i Kosovës ka njoftuar se presidenti Besim Hasani ka zhvilluar disa takime në Bruksel, ku qëndroi në Mbrëmjen e pestë Evropiane të Sportit, të organizuar nga Komiteti Olimpik Evropian dhe zyra e Bashkimit Evropian.

Të pranishëm ishin personalitetet më të larta të Komitetit Olimpik Evropian (KOE), kurse mysafir nderi ishte presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach.

Hasani shfrytëzoi rastin për të zhvilluar takim me të parin e KON-it.

“Gjatë takimit, përveç temave të ndryshme, theksova shqetësimin e Federatave Sportive të Kosovës dhe sfidat me të cilat po ballafaqohen sportistët, klubet dhe Federatat e Kosovës, lidhur me ngjarjet e ndryshme sportive të cilat mbahen në shtetet që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, duke marrë shkas nga Federata e Tenisit dhe Federata e Boksit e Kosovës. Sportistët e këtyre dy federatave nuk u lejuan të udhëtojnë në Moldavi e Ukrainë, me arsyetimin se Ministritë e tyre të Punëve të Jashme kanë penguar dhënien e vizave për shtetasit e Kosovës!”, deklaroi Hasani, thuhet në njoftimin e KOK-ut.

Sipas të parit të KOK-ut, Bach e mori me shqetësim informatën dhe premtoi angazhimin e shërbimeve përkatëse të KON-it, por edhe personalisht do të angazhohet që sportistët e Kosovës mos të pengohen nga pjesëmarrja në Kampionatet Evropiane e Botërore, e sidomos kur këto gara janë kualifikuese për Lojëra Olimpike. Bach kërkoi që nga Kosova të vijnë informatat me kohë, kur garat e tilla mbahen në shtetet që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur.

Sipas njoftimit, Hasani më pas u takua edhe me Janez Kocijançiç, president në detyrë i KOE, me të cilin biseduan për përfshirjen e Kosovës dhe shteteve jo anëtare të Bashkimit Evropian në ndihma për sportin. Madje, Kocijançiç, këtë e tha edhe publikisht para rreth 250 përfaqësuesve të Evropës dhe Thomas Bach.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme