Presidentë të Komiteteve Olimpike Kombëtare në Kosovë, në shënimin e 5-vjetorit të anëtarësimit të KOK-ut në KON

Prishtinë | 09 Dhj 2019 | 09:03 | Nga Ekonomia Online

Komiteti Olimpik i Kosovës shënon 5-vjetorin e anëtarësimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Me këtë rast, KOK organizon Gala Mbrëmjen, e cila do të mbahet në Hotel “Emerald në Prishtinë”, me fillim prej orës 20:00.

Për ta nderuar KOK-un, në këtë ditë të veçantë, në Kosovë do të arrijnë presidentë të shumtë të Komiteteve Olimpike Kombëtare.

Në Gala Mbrëmje të pranishëm do të jenë: Krisztian Kulcsar, president i Komitetit Olimpik të Hungarisë; Mihail Claudio Covaliu, president i KO të Rumanisë; Bogdan Gabrovec, president i KO të Sllovenisë; Vasil Tupurkovski, president i KO të Maqedonisë së Veriut; Dusan Simonoviq, president i KO të Malit të Zi dhe Viron Bezhani, president i KO të Shqipërisë.

Një mysafir tjetër i lartë edhe Emanuel Macedo de Medeiros, president i Aleancës Globale të Integritetit Sportiv (SIGA) i shoqëruar nga Clare Disdale.

Krahas tyre, të pranishëm do të jenë edhe figurat më të larta politike të shtetit tonë, si dhe ato nga sporti, arti e kultura.

KOK u anëtarësua në KON në Sesionin e 127-të të mbajtur në Monako, anëtarësim ky që iu kishte hapur më pas rrugën federatave sportive në vend për t’u anëtarësuar në federatat përkatëse ndërkombëtare.

Në këto pesë vjet, KOK-u ka fituar 11 medalje, prej tyre gjashtë të arta, dy të argjendta dhe tri të bronzta në Lojërat e ndryshme ndërkombëtare, ndërsa veçohet medalja e artë Olimpike e Majlinda Kelmendit, e cila bëri që Kosova të hyjë në mesin e 100 shteteve me medalje të artë Olimpike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme