Sokol Havolli, këshilltari i Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë në Ora e Fundit në Klan Kosova se zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vizitën e tij në Kosovë do të flas për tema aktuale politike në vend.
Havolli, i pyetur se a do ta trajtojë Joe Biden çështjen e Demarkacionit, pohoi se temat aktuale sigurisht se do të jenë pjesë e bisedimeve.
“Sigurisht që zotëri Biden do të flas për tema aktuale politike, por tani nuk mund të them saktësisht se cilat janë ato”, ka thënë Havolli.
Ai, duke komentuar ardhjen e Biden në Kosovë, ka thënë se me këtë vizitë rikonfirmohet fuqishëm mbështetja amerikane për kosovarët.
“Një lajm shumë i mirë vizita e Biden në Kosovë. Vizita të tilla e rikonfirmojnë shumë fuqëishëm se SHBA-të janë përkrahës të jashtëzakonshëm të Republikës së Kosovës. Prandaj jemi të lumtur për këtë vizitë”.
Havolli ka pohuar se është i bindur se njeriu i dytë i SHBA-ve edhe njëherë do të tregojë se amerikanët përkrahin këtë model të tanishëm të Demarkacionit.
“Shtetet e Bashkuara kanë treguar se shënjimi i vijës kufitarë është bërë në mënyrë të rregullt dhe presim konfirmim edhe nga zëvendëspresidenti”.