Haxha para gjykatës, jep llogari për 53 mijë euro

Prishtinë | 02 Nën 2016 | 11:28 | Nga

Shyqyri Haxha ish-kryeshefi i PTK-së tha se nuk u kthye në Kosovë për keqpërdorime e përfitime materiale.

Ish kryeshefi i PTK-së Shyqyri Haxha paraqiti mbrojtjen në gjykimin ku akuzohet për shpërdorim detyre.

Haxha tha në gjykatë se në Kosovë u kthye për të ndihmuar, jo për të kryer keqpërdorime.

“Të nderuar panel gjyqësor unë kam ardhur me motiv shumë të madh dhe me krenari të madhe t’i ndihmoj vendit tim edhe asnjëherë nuk kam ardhur për përfitime materiale edhe e ndiej veten plotësisht të pafajshëm dhe asnjë keqpërdorim në atë kompani nuk e kam bërë në jetën time,” tha Haxha para trupit gjykues.

Para se të jepte mbrojtjen i akuzuari Shyqyri Haxha, në këtë seancë gjyqësore dëshmoi Sabahudin Ramaxhiku, drejtor i Zyrës Ligjore në PTK.

Ramaxhiku ishte sekretar i PTK-së në kohën kur Haxha drejtonte këtë ndërmarrje.

Ramaxhiku deklaroi para trupit gjykues se kërkesa e Haxhës për kompensimin e pagesës së qirasë nuk ishte e paligjshme.

“Kërkesa sipas vlerësimit tim si sekretar ka qenë tërësisht ligjore dhe e drejtuar një organi kompetent i cili konform Ligjit për Ndërmarrjet Publike vendos për kërkesat e zyrtarëve të korporatës,” tha Ramaxhiku.

Prokuroria Shyqyri Haxhën e akuzon se në periudhën 2009-2011 ka keqpërdorur pozitën ngase ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme pagesën e qirasë dhe ngarkesave tjera në vlerë prej 2.000 eurosh për çdo muaj, e cila shumë arrin gjithsej 53.000 euro.

Prokuroria pretendon se 28 mijë nga 53 mijë eurot Haxha i ka tërhequr në para të gatshme, ndërsa pjesën tjetër prej 25 mijë eurove me anë të xhirollogarisë në TEB Bank.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme