Haxhi Avdyli thotë se sanksionet e BE-së nuk ia lënë shenjë Kosovës

Prishtinë | 08 Shk 2024 | 16:01 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Haxhi Avdyli, iu është përgjigjur kritikave të kolegëve opozitarë në lidhje me masat ndëshkuese të Bashkimit Europian ndaj Kosovës.

Avdyli tha se sanksionet nuk kanë kurrfarë ndikimi.

“Këto sanksione nuk janë duke dhënë kurrfarë efekti. Më shumë janë sanksione fiktive sepse Kosova është duke bërë marrëveshje, Kosova është duke u vizituar nga shtete dhe akterë të lartë politikë që janë duke ardhë në Kosovë dhe absolutisht këto sanksione nuk janë çështje që janë duke ndikuar drejtpërdrejt në Kosovë”, tha Avdyli.

“Sidoqoftë, rezultatet e Kosovës janë shumë më të mëdha sesa dëmi i sanksioneve të cilat ju i përmendni”, tha ndër tjerash ai.

Kryeministri Albin Kurti, për dallim prej Avdylit, pat thënë se Kosova po vuan për shkak të këtyre masave.

“Është e vërtetë që ne po vuajmë për shkak të këtyre sanksioneve. Kryesisht komuniteti ynë i biznesit, por edhe shërbimet shtetërore. Për shembull, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është ngrirë, megjithëse ne e kemi përmbushur atë në 69 për qind. Huat dhe grantet si dhe financimet nga fondet e Bashkimit uvropian janë gjithashtu në rrezik. E gjithë kjo u ndërpre. Prandaj, heqja e këtyre masave ndaj Kosovës do të ishte vërtet e mirëseardhur dhe vendim i drejtë i Bashkimit Europian”, pati deklaruar Kurti.

Të ngjashme