Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pasi PDK ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Byronë.
Në një shkrim në Facebook, ajo ka thënë se më këtë veprim, po synohet zhagitja e reformave.
“Mund të luftohen e sabotohen, por reformat që kemi nisur në shumë drejtime pëbrenda sistemit të drejtësisë tashmë kanë marrë drejtimin e duhur dhe nuk mund t’i ndalojë askush, aq më shumë ata që janë përgjegjës për shkatërrimin e institucioneve”, ka shkruar ndër të tjera ajo në Facebook.
Postimi i saj i plotë:
Në përputhje me zotimin tonë para qytetarëve, në Qeverinë Kurti 1 patëm filluar punën për themelimin e Byrosë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Përgjatë kësaj periudhe janë mbajtur qindra mbledhje deri në hartimin dhe harmonizimin e projekt-ligjit mbi të cilën Byroja do të merrte jetë.
Për të qenë edhe më korrekt, pas kërkesës së opozitës dhe para miratimit në parim, projekt-ligjin e dërguam edhe në Komisionin e Venecias si institucionin më kredibil për demokraci nëpërmjet ligjit. Pasi kaloi të gjitha hallkat e verifikimit më në fund u soll në Kuvend për t’u votuar në leximin përfundimtar.
Nuk ka institucion më të lartë në kontinentin tonë për të shuajtur dilemat e opozitës sesa Komisioni i Venecias. Madje edhe vet Gjykata Kushtetuese në rastet sidomos më komplekse, konsultohet me Komisionin e Venecias.
Kësisoj, dërgimi i Ligjit për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme në Gjykatën Kushtetuese, ka për qëllim zhagitjen e reformave.
Mund të luftohen e sabotohen, por reformat që kemi nisur në shumë drejtime pëbrenda sistemit të drejtësisë tashmë kanë marrë drejtimin e duhur dhe nuk mund t’i ndalojë askush, aq më shumë ata që janë përgjegjës për shkatërrimin e institucioneve.
Byroja do të bëhet. Drejtësia do të triumfojë.